Zbulohet si e ndihmoi banda kriminale e Ballkanit biznesmenin rus të ikte nga arresti

  • A.P /
  • 11 April 2024 - 19:52
Zbulohet si e ndihmoi banda kriminale e Ballkanit biznesmenin rus të ikte nga arresti

Një biznesmen rus, i akuzuar për kontrabandë të pajisjeve ushtarake, të përdorura në pushtimin e Ukrainës, pritej të ekstradohej në Shtetet e Bashkuara të Amerikës – kur arriti të ikte nga arresti shtëpiak në Itali dhe u kthye në Moskë, përmes një plani të suksesshëm arratisjeje. Ja se si ndodhi e gjitha, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Vladimir Jovançiq nuk e fshihte afërsinë e tij me botën e krimit: pseudonimi që ka përdorur në llogarinë e tij në TikTok, ku ka publikuar video të kishave ortodokse, të varkave me motor dhe të palltove të shtrenjta prej gëzofi, është fraza ruse “hajdut i ligjshëm” – zhargon popullor për universin e krimit të organizuar rus.

Në orën 9:30 të mëngjesit të 17 shkurtit 2023, Jovançiq, shtetas i Bosnje e Hercegovinës, u nis me veturë nga qyteti italian Desenzano del Garda, në bregun jugor të liqenit Garda.

Dy telefonat e tij celularë u lidhën me kullat telefonike në rajon, përderisa ai udhëtonte me veturë për në periferinë e Milanos, në Basiljo, pak më shumë se katër orë larg.

Ishte një hap i hershëm në një plan që kulmoi me një arratisje të guximshme nga arresti shtëpiak për një rus të quajtur Artyom Uss, i cili kërkohej nga autoritetet amerikane mbi akuzën e kontrabandës së teknologjisë së ndjeshme, të përdorur në armët ruse në Ukrainë.

Babai i Ussit ishte guvernator i fuqishëm rus, i lidhur me gjigantin shtetëror të naftës, Rosneft, dhe i afërt me presidentin Vladimir Putin.

Arratisja e Ussit, një ditë pasi një gjykatë italiane miratoi ekstradimin e tij për në Shtetet e Bashkuara, ishte tejet e sikletshme për autoritetet italiane; Italia, tha një ligjvënës, “e turpëroi veten ndërkombëtarisht”.

Qeveria amerikane ka caktuar një shpërblim prej 7 milionë dollarësh për kapjen e tij.

Faqja e Qeverisë amerikane, ku shtetasi rus, Artem Uss, është shpallur në kërkim.

Por, plani i ndërlikuar i arratisjes së tij hodhi dritë mbi operacionet e një grupi të krimit të organizuar ndërkombëtar, me rrënjë në Serbi, dhe la të kuptohej se si rusët me lidhje të fuqishme mund të jenë mbështetur në fakt në agjencitë e inteligjencës për të nxjerrë nga paraburgimi biznesmenin e kërkuar, dhe për ta çuar atë ku s’mund të jetë i kapshëm nga autoritetet italiane dhe amerikane.

Prokurorët italianë kanë akuzuar gjashtë persona mbi dyshimet për përfshirje në këtë plan.

Tre janë në paraburgim: një në Kroaci e një në Slloveni – që të dy në pritje të ekstradimit në Shtetet e Bashkuara – dhe një tjetër në Itali.

Tre të tjerë mbeten ende në kërkim.

Duke përdorur materiale hetimore dhe video të përgjimeve, të siguruara nga autoritetet italiane, si dhe prova të paraqitura nga prokurorët në Shtetet e Bashkuara dhe dy vende të tjera, Radio Evropa e Lirë ka zbuluar skemën se si Uss u arratis nga një lagje e mbyllur në periferi të Milanos, kaloi tre kufij dhe në fund fluturoi drejt Rusisë nga Beogradi.

Janar 2023

Uss, 41 vjeç, u akuzua nga një juri e madhe e SHBA-së në shtator të vitit 2022, së bashku me një partner rus biznesi dhe me katër persona të tjerë, për përdorimin e një kompanie gjermane për të kontrabanduar teknologji ushtarake e me përdorim të dyfishtë, për magnatët dhe kompanitë ruse, në kundërshtim me sanksionet perëndimore – duke përfshirë llojet e pajisjeve elektronike që më vonë u shfaqën në fushën e betejës në Ukrainë.

Rreth një muaj më vonë, më 17 tetor 2022, ai u arrestua në aeroportin e Milanos, me një urdhër të SHBA-së.

Pesë javë pas kësaj, një gjykatë në Milano e vendosi atë në arrest shtëpiak, në vend që ta mbante në burg, një veprim që shkaktoi shqetësim tek zyrtarët amerikanë dhe, pas arratisjes së tij, shkaktoi zemërim e kritika nga ligjvënësit.

Uss nuk ishte i panjohur për Italinë.

Familja e tij kishte prona të paluajtshme atje, duke përfshirë hotele, ndërsa ai raportohet se zotëronte një kompani për prodhimin e verës në Sardenjë.

Partneri i biznesit i Ussit, Yuri Orekhov, i cili u akuzua në të njëjtën aktakuzë të vitit 2022 në SHBA, u arrestua në Gjermani, dhe mbetet në paraburgim në Gjermani, në pritje të ekstradimit.

Në janar të 2023-tës, Uss rekrutoi Jovançiqin “dhe individë të tjerë të lidhur me një grup serb të krimit të organizuar… për ta ndihmuar atë të ikte në Rusi, në rast se do të urdhërohej ekstradimi i tij,” tha Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së, duke përshkruar aktakuzën.

Po atë muaj, Jovançiq, 53 vjeç, takoi gruan e Ussit, një modele e quajtur Maria Yagodina, në një hotel në Milano. Të dy ranë dakord për një skemë, ku Jovançiq do të pretendonte dërgimin e ushqimeve në rezidencën e Ussit, në mënyrë që të mos ngjallte dyshime.

Yagodina i dha Jovançiqit një telefon celular dhe një paradhënie prej 10.000 eurosh, tha Departamenti i Drejtësisë, kurse më vonë atij iu dha një kartelë për të hyrë në shtëpi.

Uss ndodhej në arrest shtëpiak në një komunitet të quajtur Borgo Di Vione, në Basiljo, në periferinë jugore të Milanos.

I përbërë nga vila dhe shtëpi të veçanta, kompleksi e reklamon veten si vend miqësor për familje, me një restorant brenda tij, me pishinë, banjë e të tjera.

Policia italiane tha se e kontrollonte Ussin disa herë në ditë, por një ligjvënës e kundërshtoi këtë pretendim në një seancë parlamenti, pas arratisjes së tij.

18 shkurt 2023

Një ditë pasi telefoni i Jovançiqit u regjistrua në rrjet në Basiljo, pas udhëtimit nga Desenzano del Garda, ai u lidh me rrjetin celular të Gjermanisë në Gotingen, 670 kilometra në veri të Milanos.

Nuk është e qartë saktësisht se çfarë po bënte Jovançiq në Basiljo, dhe më pas në Gjermani.

Megjithatë, një prezantim vizual i përgatitur për karabinierët e Milanos i identifikon udhëtimet e tij këtu si “Inspektimi i Parë” – kur Jovançiq dyshohet se po bënte plane për arratisjen e Ussit.

Është e paqartë nëse Jovançiq udhëtoi me avion apo me veturë.

20 shkurt 2023

Telefonat e lidhur me Jovançiqin u regjistruan më pas në rrjetet telefonike italiane në orën 11:06 të mëngjesit, përsëri në Desenzano del Garda.

Nuk është e qartë se si saktësisht ai udhëtoi nga Gjermania, apo kur.

Sinjalet e telefonave të tij u regjistruan teksa ai udhëtonte drejt perëndimit, në autostradën A4, duke mbërritur në periferinë e Milanos, në Basiljo, në orën 15:16.

Ai kaloi më pak se një orë në periferi. Sinjalet e telefonit u regjistruan më pas pranë San Xhuliano Milaneze, rreth 17 kilometra në lindje, në orën 16:03, dhe përsëri në Desenzano del Garda në 5:54 pasdite.

Ai udhëtim ishte “Inspektimi i Dytë”, sipas policisë së Milanos.

22 shkurt 2023

Sinjalet e telefonit treguan se telefoni i Jovançiqit u largua nga Desenzano del Garda dhe po udhëtonte drejt lindjes, duke kaluar nëpër Slloveni dhe Kroaci, përpara se të mbërrinte në Serbi në orën 19:23.

5 mars 2023

Jovançiq u kthye nga Serbia në Itali me veturë, duke mbërritur në Desenzano del Garda në orën 20:30, sipas të dhënave të telefonit mobil.

Dy ditë para nisjes, ai publikoi një video të një kishe ortodokse në Rumani, në llogarinë e tij në TikTok. Pseudonimi i llogarisë është “Vor v Zakon” ose “Hajduti i ligjshëm ” – një frazë e njohur ruse, që u referohet bosëve të krimit të organizuar në Rusi.

6 mars 2023

Sinjalet e telefonit celular të Jovançiqit treguan se ai po largohej nga Desenzano del Garda në orën 8:30 të mëngjesit në atë që policia italiane e përshkroi si “Inspektimi i Tretë”.

Një ditë më vonë, Jovançiq shkoi përsëri me veturë në rezidencën e Ussit.

Ai u largua nga Desenzano del Garda në 8:30 të mëngjesit dhe u nis për në Milano përmes Alesandrias, në jugperëndim – nëpërmjet një rruge jodirekte.

Sinjalet e telefonit mobil e vendosën atë në Milano në orën 12:54, dhe në Basiljo në orën 16:25.

Një orë më vonë, sinjali i tij i telefonit u zbulua në Trezano sul Naviljo, dhe më pas në pikën kufitare sllovene të Gorizias, ku ai dukej se kishte vozitur, në orën 22:06.

7-11 mars 2023

Telefonat celularë të Jovançiqit zbuluan se ai kishte mbërritur në një vend të paidentifikuar në Serbi, në orën 15:22.

Katër ditë më vonë, ai u kthye në Itali, sipas policisë; telefonat e tij u regjistruan në Gjermani, mëngjesin e 11 marsit, dhe në Desenzano del Garda, pak pas orës 15:00.

Policia italiane tha, gjithashtu, se rrjetet telefonike italiane regjistruan telefonin e Sërgjan Llolliqit, një serb 51-vjeçar.

Pasi hyri në Itali, në Trieste, ai u nis me veturë për në Milano, duke mbërritur pak para orës 20:00, më 11 mars.

Pak dihet për Llolliqin. Ai shërbeu si menaxher i përgjithshëm i një hoteli në Beograd, të quajtur “Putnik Inn”, nga mesi i vitit 2018 deri në fillim të vitit 2020.

Më 9 shkurt 2023, sipas dokumenteve të regjistrit të korporatave serbe, ai dha dorëheqjen nga bordi i drejtorëve të një korporate tjetër, që ndan të njëjtën adresë dhe stafin menaxhues si “Putnik Inn”.

Vetë hoteli është në pronësi të një konglomerati, aksionarët e të cilit përfshijnë qipriotë dhe serbë.

Një biznesmen rus figuroi si drejtor i korporatës së përbashkët.

Hoteli “Putnik Inn” në Beograd.

Në prill të vitit 2023, më pak se një muaj pasi Uss u arratis nga arresti shtëpiak në Itali, Llolliq u raportua se kishte fluturuar në Polin e Veriut, duke thënë për një gazetë të Beogradit se ai ishte i pari serb që shkeli atje.

Ai tha për gazetën se udhëtoi përmes Moskës dhe Krasnojarskut, ku hipi në një aeroplan ushtarak për udhëtimin në veri.

Krasnojarsku është kryeqyteti i rajonit të gjerë siberian, të pasur me minerale, me të njëjtin emër, guvernator i të cilit në atë kohë ishte babai i Ussit, Aleksandr.

Autoritetet amerikane thanë se Aleksandr Uss ishte “një aleat i ngushtë i presidentit Vladimir Putin”.

Llolliq kishte darkuar me guvernatorin pasi kthimit në Krasnojarsk, siç tha ai për gazetën e Beogradit.

Pesë ditë pasi u shfaq artikulli ku foli Llolliq, Aleksandr Uss njoftoi dorëheqjen e tij si guvernator i Krasnojarskut.

Ai tha se ishte takuar disa ditë më parë me Putinin, i cili i sugjeroi të kalonte në një rol tjetër.

Nuk u dha asnjë arsye për largimin e tij.

12 mars 2023

Të dhënat e rrjetit treguan celularin e Jovançiqit, së bashku me atë të djalit të tij, Boris, duke u nisur nga Desenzano del Garda në orën 9:11 të mëngjesit, e duke mbërritur në Milano rreth 90 minuta më vonë.

Babë e bir, së bashku me Llolliqin, më pas inspektuan pronën në Basiljo ku po qëndronte Uss, thuhet në të dhënat e policisë.

Ata u nisën në orën 12:59.

Llolliq, më pas, u duk se po largohej nga Italia, duke shkuar nga Venecia në orën 20:13.

16 mars 2023

Jovançiq dhe djali i tij blenë një veturë Volvo V60, nga një tregtar në Kastenjato, një qytet i vendosur midis liqenit Garda dhe Milanos, diku mes orës 9:27 dhe 10:30.

Vetura ishte e regjistruar me emrin e Boris Jovançiqit.

Vlladimir Jovançiq pastaj udhëtoi për në Serbi në të njëjtën ditë, duke kaluar nga Kroacia në pikën kufitare të Batrovcit, në orën 18:36.

Targat italiane të Volvos – EP605VA – u regjistruan në videot e vëzhgimit të pikës kufitare.

21 mars 2023

Sinjalet celulare treguan se Vlladimir Jovançiq po largohej nga Serbia në orën 17:02, dhe po arrinte në Desenzano del Garda në orën 23:20.

Në orën 20:22, në pikën kufitare të Batrovcit, u detektua telefoni mobil i Llolliqit.

Ai ishte duke vozitur veturën Audi A8, me targa serbe BG1768HP, të cilin e kishte marrë me qira te hoteli “Putnik Inn”, në Beograd. Sipas prokurorëve italianë, Llolliqit iu bashkua në veturë një serb 47-vjeçar, i quajtur Nebojsha Illiq.

Më herët, gjatë ditës, një gjykatë italiane kishte hapur rrugën për ekstradimin e Ussit në Shtetet e Bashkuara, pesë muaj pas ndalimit fillestar të tij në aeroportin e Milanos.

22 mars 2023

Matej Janezhiq, slloven 40-vjeçar, hyri në Itali në Trieste, në orën 8:31 të mëngjesit, duke vozitur një veturë Volvo S80, me targa sllovene LJDP082.

Ai mbërriti në Bedizole, një vendbanim në perëndim të liqenit Garda, rreth orës 10:30 të mëngjesit.

Në orën 10:45, sipas të dhënave të rrjetit telefonik mobil, katër vetura u nisën nga Bedizole, duke arritur në një qendër tregtare në Laçiarella – shtatë minuta larg me veturë nga rezidenca e Ussit – në orën 12:16.

Përveç dy Volvo-ve dhe Audi-t, në kolonë ishte edhe një veturë e katërt: Një Fiat Bravo që ishte transferuar në pronësi të Jovançiqit nga një shqiptare 36-vjeçare, e quajtur Emirada Ibo.

Ibo kishte transferuar sigurimin e veturës Fiat tek Jovançiq, një javë më parë.

Prokurorët italianë e akuzuan atë si bashkëpunëtore në arratisjen e Ussit.

E kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë përmes thirrjeve telefonike, dhe me mesazhe përmes WhatsApp-it, Ibo nuk pranoi të diskutonte akuzat kundër saj me telefon, dhe kërkoi që pyetjet të dërgoheshin me shkrim.

Më pas, ajo nuk pranoi t’u përgjigjej thirrjeve të tjera telefonike nga Radio Evropa e Lirë dhe u përgjigj me mesazhe me tekst, duke thënë: “Nuk di asgjë për këtë. Më vjen keq”.

Në qendrën tregtare në Laçiarella, kamerat e vëzhgimit kapën Jovançiqin duke folur me Llolliqin, në orën 12:17.

Një minutë më vonë, Janezhiq, Boris Jovançiq dhe një burrë që me gjasë ishte Illiq, mbërritën në qendrën tregtare.

Jovançiq dhe djali i tij u panë duke blerë ushqime për rreth 20 minuta.

Në orën 13:06, katër veturat u larguan nga qendra tregtare.

Dy prej tyre – njëra e drejtuar nga Jovançiq dhe tjetra nga Llolliq – arritën në kompleksin Borgo Di Vione dhe kamerat e vëzhgimit regjistruan Jovançiqin duke ecur në lagjen e mbyllur.

Në orën 13:40, një person i identifikuar nga policia si Jovançiq u shfaq duke hyrë në atë që dukej të ishte rezidenca e Ussit, duke mbajtur një çantë me blerje nga Laçiarella.

Menjëherë pas kësaj, dy burra u shfaqën duke folur në një trotuar – njëri me kapelë të tërhequr mbi kokë u identifikua nga policia italiane si Uss.

Kamerat më pas regjistruan Ussin dhe Jovançiqin duke ecur në një trotuar, duke dalë nga hyrja veriore e kompleksit dhe më pas duke u futur në Fiat dhe duke u larguar.

Si pjesë e urdhrit të gjykatës italiane që i caktonte atij arrest shtëpiak në vend të burgimit, Uss ishte urdhëruar të mbante një byzylyk monitorimi elektronik rreth kyçit të këmbës, duke lejuar policinë ta gjurmonte dhe të njoftohej nëse ai shkonte përtej një rrezeje të caktuar të vendbanimit të tij.

Gjatë arratisjes së Ussit, thanë prokurorët italianë, transmetimi nga byzylyku i monitorimit u ndërpre me një “ndërprerës sinjali” – një pajisje që bllokon ose ndërhyn në transmetim.

Në një moment më vonë, Jovançiq siguroi një prerës bulonash për të prerë pajisjen nga kyçi i këmbës së tij, sipas prokurorëve amerikanë.

Më pas, Uss e hodhi pajisjen nga dritarja e veturës.

Alarmi për pajisjen e monitorimit ra në orën 13:52, duke nxitur policinë të reagojë, megjithëse është e paqartë saktësisht se sa kohë u desh që ata të mbërrinin. Dhe, në kohën kur ata arritën, Uss tanimë ishte larguar.

Policia thirri zjarrfikësit për të thyer derën. Brenda, televizori ishte i ndezur dhe me zë të lartë, por shtëpia ishte bosh.

Në një moment atë pasdite, Uss doli nga Fiat-i dhe hipi në Audi.

Me Jovançiqin në timon, ata u drejtuan në lindje për në Venecia, dhe më pas në kufirin slloven, së bashku me Volvon, të drejtuar nga Janezhiqi. Dy makinat kaluan kufirin në Gorizia, rreth orës 17:50, me targat e tyre të regjistruara në kamerat e vëzhgimit anash rrugës.

23 mars 2023

Vetura Audi, e drejtuar tani nga Illiq, kaloi në Serbi nga Kroacia në orën 6:40 të mëngjesit.

Pasi operacioni i arratisjes u përfundua, Uss i pagoi Jovançiqit 40.000 euro shtesë, sipas prokurorëve amerikanë.

Uss besohet të ketë fluturuar më pas nga Beogradi për në Moskë, por është e paqartë kur, si dhe nëse ishte në një fluturim komercial.

4 prill 2023

Pas disa ditësh spekulime në mediat italiane për vendndodhjen e tij, Uss lëshoi një deklaratë për mediat ruse.

“Unë jam në Rusi! Gjatë këtyre pak ditëve veçanërisht dramatike, kisha pranë meje njerëz të fortë dhe të besueshëm. Faleminderit atyre!”, tha Uss.

“Gjykata italiane, në paanshmërinë e së cilës u mbështeta fillimisht, demonstroi paragjykime të dukshme politike. Fatkeqësisht, ishte gati të ‘përkulej’ nën presionin e autoriteteve amerikane. Në situatën e sotme ndërkombëtare, kur ata ‘luajnë pa rregulla’, kthimi im në vendlindje, qoftë edhe në mënyrë kaq ‘jo standarde’, është fitore”, shtoi ai.

(Kosova Sot Online)