Ahmeti: Besoj se nesër do ta kemi një lajm pozitiv në KiE

  • A.P /
  • 15 April 2024 - 17:33
Ahmeti: Besoj se nesër do ta kemi një lajm pozitiv  në KiE

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Kreshnik Ahmeti është optimist se nesër në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës do të jepet drita e gjelbër për anëtarësimin e Kosovës në KiE, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Ahmeti ndodhet në Strasburg tha se situata para votimit të nesërm po duket e favorshme për Kosovën.

“Po duket situatë e favorshme. Kemi bërë një punë të gjatë edhe me deputetët, që janë 300”, tha ai.

Ahmeti tha se votimi pro nuk merret i mirëqenë dhe se po punojnë që nesër Kosova ta marrë lajmin e mirë.

“Duket situatë e mirë, por kjo nuk do të thotë që e marrim për të mirëqenë. Po punojmë që nesër ta kemi një ditë të suksesshme”, tha ai.

“Mbështetja është aty dhe besoj që nesër do ta kemi një lajm pozitiv nga diplomacia e Kosovës”, tha Ahmeti.

Pak më herët, Gerald Knaus nga Iniciativa Europiane për Stabilitet njoftoi se në Komitetin për Çështje Ligjore dhe të Drejta të Njeriut në Këshillin e Europës sot është votuar unanimisht pro aplikimit të Kosovës për anëtarësim.

Knaus u lajmëra përpara objektit të KiE në Strasburg, nga ku tha se votimi ishte “unanim”, përpara “votimit historik” në seancën e nesërme kur Asambleja Parlamentare do ta shqyrtojë raportin që rekomandon anëtarësimin e Kosovës.

Kosova bëri një hap drejt anëtarësimit në Këshillin e Europës më 27 mars. Me gjithë votën kundër të Serbisë dhe dy vendeve të tjera, Komiteti për Politikë dhe Demokraci i KiE e miratoi raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, i cili rekomandoi se vendi ika plotësuar kushtet për t’u bërë anëtarësuar plotësisht në Këshillin e Europës.

Asambleja Parlamentare do të diskutojë nesër për këtë dhe nëse ajo e jep dritën e gjelbër, atëherë fjalën përfundimtare duhet ta japë Këshilli i Ministrave të Këshillit të Europës në maj.

(Kosova Sot Online)