MFPT: Kosova merr vlerësimin kreditor ‘BB-‘ nga Fitch Ratings për herë të parë në historinë e vendit

  • E.K /
  • 20 April 2024 - 14:15
MFPT: Kosova merr vlerësimin kreditor ‘BB-‘ nga Fitch Ratings për herë të parë në historinë e vendit

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka njoftuar se Kosova ka marrë vlerësimin kreditor “BB” nga Agjencia e Vlerësimit Kreditor Fitch Ratings, për herë të parë në historinë e vendit, përcjell “Kosova Sot Online”.

Vlerësimi Kreditor është indikator tepër i rëndësishëm që tregon aftësinë e një vendi për të shlyer borxhet, dhe merr parasysh qendrueshmërinë e politikave fiskale, borxhin publik, deficitin, rritjen ekonomike, sektorin bankar, dhe cilësinë e qeverisjes ndër tjera.

“Në raportin e publikuar më 19 Prill, Fitch Ratings thekson në veçanti kredibilitetin e politikave fiskale, stabilitetin dhe nivelin e ulët të borxhit publik, deficitin e ulët buxhetor, dhe sektorin bankar të qëndrueshëm si arsyet kryesore që kanë mbështetur pozitivisht vlerësimin e tyre kreditor për Kosovën. Sipas raportit, Fitch Ratings ka vlerësuar punën e bërë nga Qeveria në fushën e politikave fiskale me uljen e deficit buxhetor si dhe rritjen e vazhdueshme të mbledhjes së tatimit. Agjencia vlerëson nivelin e ulët të borxhit publik i cili ka rënë në 17% të BPV-së si dhe shkallën e inflacionit në rënie, e cila në muajin mars ka prekur nivelin 2.3%”, thuhet në njoftim.

“Njëkohësisht, Vlerësimi Kreditor shërben edhe si pasaportë e shtetit, përmes së cilës investitorët e huaj do t’a kenë më të lehtë të informohen për zhvillimin ekonomik dhe politikat financiare të vendit, duke e bërë kësisoj më të lehtë procesin e tërheqjes së investimeve të huaja në Kosovë. Procesi i Vlerësimit Kreditor është mbështetur nga USAID në kuadër të projektit për “Promovim të Investimeve dhe Qasje në Financa”. Kjo mbështetje forcon edhe më tej bashkëpunimin që Republika e Kosovës ka me USAID dhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, thuhet më njoftim.

(Kosova Sot Online)