Zelensky nënshkruan marrëveshje me Belgjikën

  • A.P /
  • 28 May 2024 - 21:36
Zelensky nënshkruan marrëveshje me Belgjikën

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky e ka nënshkruar të martën një marrëveshje të sigurisë me kryeministrin e Belgjikës, Alexander De Croo në Bruksel, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Zelensky ka thënë se marrëveshja në vlerë të 977 milionë dollarëve tregon për përkushtimin e Belgjikës për t’i ofruar mbështetjes Ukrainës në periudhë 10-vjeçare.

Sipas presidentit ukrainas, marrëveshja tregon “për herë të parë” që Ukraina do të pranojë 30 aeroplanë ushtarakë F-16, dhe i pari do të dërgohet më vonë gjatë këtij viti.

Kjo marrëveshje e sigurisë është rezultat i një vendimi të marrë prej krerëve të shteteve anëtare të NATO-s, përgjatë një samiti në kryeqytetin e Lituanisë, Vilnius, në korrik të vitit të kaluar.

Atëherë, vendet anëtare janë pajtuar që të nënshkruajnë marrëveshje bilaterale me Ukrainën, për t’ia garantuar sigurinë këtij vendi në periudhë afatgjatë.

Marrëveshjet garantojnë që Ukraina do të pranojë armë dhe ndihmë financiare, për t’i mbushur zbrazëtirat që ka, derisa vendi të jetësojë synimin për anëtarësim në NATO.

Marrëveshja vjen teksa Rusia vazhdon të avancojë në fushëbetejë në tokën ukrainase.

Ushtria ukrainase e ka vuajtur mungesën e armëve dhe municionit në muajt e fundit, derisa Shtetet e Bashkuara e kanë miratuar ndihmën ushtarake në vlerë të 61 miliardë dollarëve për këtë vend.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.

Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.


(Kosova Sot Online)