Zbulohen detaje nga marrëveshjet e Serbisë me Kinën

  • A.P /
  • 02 June 2024 - 15:06
Zbulohen detaje nga marrëveshjet e Serbisë me Kinën

Marrëveshjet që u nënshkruan në Serbi gjatë vizitës së udhëheqësit kinez, Xi Jinping, muajin e kaluar, mund ta kufizojnë lirinë e medias në këtë vend dhe ta rrisin shtrirjen e Kinës, paralajmërojnë ekspertët dhe aktivistët, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

“Unë mendoj se kushdo që konsiderohet nga Pekini si kritik i regjimit, duhet të mendojë dy herë përpara se të udhëtojë në Serbi”, thotë Laura Harth, nga organizata për të drejtat e njeriut Safeguard Defenders.

Harth i referohet kështu një marrëveshjeje për ekstradim, të nënshkruar në Beograd, gjatë vizitës shtetërore të Xisë më 7 dhe 8 maj.

Ajo është një prej 28 marrëveshjeve të nënshkruara ato ditë mes Pekinit dhe Beogradit, të cilat lidhen me një varg çështjesh – nga infrastruktura deri tek energjia.

Por, është pikërisht marrëveshja për ekstradimin ajo që i ndezi kambanat e alarmit mes aktivistëve të të drejtave të njeriut, të cilët thonë se mungesa e pavarësisë gjyqësore në Serbi mund t’i hapë derë abuzimit nga zyrtarët kinezë.

“Nënshkrimi i një marrëveshjeje ekstradimi me Kinën, në vetvete, nuk është i diskutueshëm, por çështja është se si do të zbatohet”, thotë për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë Petar Vidosavleviq, nga Qendra e Beogradit për të Drejtat e Njeriut.

Gazetarët e pavarur shprehën shqetësime të ngjashme edhe për marrëveshjet e bashkëpunimit, që u nënshkruan nga tri mediat kryesore proqeveritare të Serbisë dhe shërbimi për shtyp i presidentit Aleksandar Vuçiq bashkë me China Media Group – organin që mbikëqyr transmetimet e radio-televizionit shtetëror të Kinës.

Ndërsa teksti i këtyre marrëveshjeve nuk u bë plotësisht publik dhe ato do të duhet të ratifikohen nga Kuvendi i Serbisë për të hyrë në fuqi, aktivistët paralajmërojnë se marrëveshjet – kur kombinohen me përkeqësimin e mjedisit mediatik të Serbisë – mund ta zvogëlojnë më tej hapësirën për informacione të pavarura në këtë vend.

“Frika është se kjo do të çojë në një rritje të narrativave anti-evropiane në të gjithë Ballkanin”, thotë për Radion Evropa e Lirë Antoinette Nikolova, drejtoreshë e Iniciativës për Media të Lira Ballkanike.

“Mjedisi serb i informacionit tashmë është i ngopur me propagandë ruse dhe tani do të bëhet vend edhe i narrativave kineze”, thotë ajo.

Pjerrësi e rrëshqitshme drejt ekstradimit

Serbia ka të nënshkruara traktate ekstradimi me shumë vende, si: Shtetet e Bashkuara, Gjermania, Bjellorusia, Turqia, Kroacia, Mali i Zi dhe Bosnje e Hercegovina.

Por, në pesë vjetët e fundit, gjykatat në disa shtete anëtare të Bashkimit Evropian ndaluan së zbatuari kërkesat për ekstradim nga Kina, për shkak të dyshimeve se personi – ekstradimi i të cilit kërkohej – do të përballej me represion, abuzim dhe hakmarrje jashtëgjyqësore.

Sipas organizatës Safeguard Defenders, Kina ka nënshkruar më shumë se 60 traktate dypalëshe për ekstradim me vende të ndryshme në botë dhe më shumë se 40 prej tyre janë ratifikuar nga parlamentet kombëtare.

Prej se Xi ka marrë pushtetin në fund të vitit 2012, Safeguard Defenders ka evidentuar rreth 70 përpjekje të Qeverisë kineze për kthimin e 400 personave në Kinë përmes procedurave të ekstradimit.

(Kosova Sot Online)