Kurti e Vuçiq më 26 qershor do të jenë në Bruksel

  • A.P /
  • 21 June 2024 - 19:10
Kurti e Vuçiq  më 26 qershor do të jenë në Bruksel

Kryeministri Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq më 26 qershor do të jenë në Bruksel për të vazhduar bisedimet e ndërprera që nga viti i kaluar, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Të dy udhëheqësit nuk janë takuar që nga sulmi terrorist në Banjskë më 24 shtator të vitit të kaluar dhe nuk dihet nëse do të preket edhe kjo temë në takimin e ri. Kryeministri Kurti ka akuzuar drejtpërdrejt qeverinë e Vuçiqit për sulmin që la të vrarë policin Afrim Bunjaku dhe ka insistuar në vazhdimësi që Serbia të mbahet përgjegjëse për këtë.

Po ashtu, brenda kësaj periudhe Banka Qendrore e Kosovës mori vendimin për ndalimin e përdorimit të dinarit në Kosovë që bëri Beogradin të protestonte.

Kjo nxiti edhe BE-në që të ndërhynte për të ndërmjetësuar për gjetjen e një zgjidhje për qytetarët e Kosovës që marrin paga e pensione nga Serbia.

Emisari Miroslav Lajçak priti shtatë takime të kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë dhe ende nuk është gjetur ndonjë pajtim.

(Kosova Sot Online)