A ndryshon pozicioni i BE’së për marrëveshjet?

  • A.P /
  • 26 June 2024 - 16:00
A ndryshon pozicioni i BE’së për marrëveshjet?

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Europian, Josep Borrell, sot do të presë edhe një takim të nivelit të lartë Kosovë-Serbi edhe pas mbajtjes së zgjedhjeve në Bashkimin Europian, transmeton  gazeta "Kosova Sot Online".

Në një deklarim për media para këtij takimi, ai e potencoi se së shpejti në këto poste do të vijnë njerëz të rinj, por bëri me dije se edhe ata do të vazhdojnë të njëjtin qëllim të Unionit karshi normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Në pak kohë do të ketë njerëz e emra të ndryshëm në postet tona, por marrëveshja, konkluzioni i Këshillit dhe pritshmëritë e BE-së nuk do të ndryshojnë, shtetet anëtare nuk do të ndryshojnë, zotimet dhe obligimet e Kosovës dhe Serbisë nuk do të largohen. Secili do të jetë duke kërkuar për kapacitetet dhe gatishmërinë e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti për t’iu ofruar një të ardhme më të mirë europiane njerëzve të tyre”.

Borrell ka shtuar se normalizimi i Kosovës dhe Serbisë është “në zemër të angazhimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor”.

Ai përsëriti se progresi i Kosovës dhe Serbisë në procesin e normalizimit të marrëdhënieve është i lidhur me rrugën integruese të tyre.

Borrell tha se sot pret që të dy liderët të lëvizin drejt zbatimit të Marrëveshjes Bazike që u arrit vitin e kaluar në Bruksel e Ohër.

“Shpresoj që sot definitivisht do të diskutojmë se si të sigurojmë dhe që më në fund të lëvizim përpara në bazat e kësaj marrëveshje. Për këtë do të diskutojmë hapat e ardhshëm. Ajo që është dakorduar duhet të zbatohet. Veprimi duhet të pasojë marrëveshjen, zbatimi është fjala kyçe dhe sot do të punojmë në hapat konkretë të ardhshëm të implementimit”, tha Borrell.

(Kosova Sot Online)