
Detaje nga takimi Bislimi-Petkoviq në Bruksel

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi në Bruksel ka akuzuar sërish Serbinë se nuk është e gatshme ta vë në zbatim Marrëveshjen Bazike, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Para kësaj ankese, Bislimi tregoi mbi temat e diskutuara aty.
Ai tha se në takime u diskutua mbi formalizimin e Marrëveshjes Bazike, si element kryesor dhe i parë për zbatim të sekuencuar të marrëveshjes, bashkë me aneksin e Ohrit, mbi Planin e Sekuencimit, zbatimin e Marrëveshjes së Energjisë, rreth mungesës së përparimit në zbatimin e Deklaratës për personat e zhdukur me dhunë, si dhe zbatimin e një numri marrëveshjesh të tjera, përfshirë IBM, si dhe atë për vizitat e zyrtarëve.
“Nga diskutimet, sidomos në dy pikat e para, u ekspozua sërish fakti tashmë i konfirmuar disa herë dhe publikisht që Serbia refuzon të pranojë Marrëveshjen Bazike në tërësi dhe nuk pranon të zbatojë pjesë të saj. Pala serbe refuzoi të përfshihet në diskutim për dakordimin e planit të sekuencimit si dhe në arritjen e formalizimit të marrëveshjes, bazuar në garancat e kërkuara në takimin e liderëve javën e kaluar. Diskutimi rreth çështjes së personave të zhdukur ekspozoi sërish që pala serbe është duke e sabotuar procesin, duke nxjerrë vazhdimisht kërkesa të reja me qëllim të bllokimit të procesit. Ndërkohë, zvarritje në zbatim nga ana e Serbisë janë evidentuar nga kryenegociatori i Kosovës edhe në Marrëveshjen e Energjisë”, tha Bislimi.
Një ditë më pas, Petkoviq iu përgjigj Bislimit duke përmendur të njëjtat tema dhe duke akuzuar palën kosovare se i hodhi poshtë.
“Bislimi dje në Bruksel: refuzoi të diskutonte për personat e zhdukur, e quajti Marrëveshjen për Vizitat Zyrtare inekzistente, e kritikoi Elektroseverin si jonormal, hodhi poshtë draft-statutin e BE-së për Asociacionin, të gjitha para Lajçakut dhe ekipit të tij. Prishtina po e vret dialogun!”, ka shkruar Petkoviq dje në X.
Postimi i ndërmjetësit Lajçak në X për takimet nuk i pasqyroi ndasitë e thella që i prezantuan palët para mediave. Lajçak tha se pati pajtim për disa hapa të radhës.
“Sapo përfunduam më shumë se shtatë orë takime në nivelin e kryenegociatorëve. Me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi dhe drejtorin Petar Petkoviq. Ne diskutuam një gamë të gjerë çështjesh dhe ramë dakord për një sërë hapash vijues”, tha ai.
(Kosova Sot Online)