Mërnica pendohet për vrasjen e policit

  • A.P /
  • 26 August 2024 - 17:23
Mërnica pendohet për vrasjen e policit

Azgan Mërnica 23-vjeçari i cili më parë vrau me armë zjarri efektivin e Shqiponjave Novruz Cenalia në fshatin Baltëz të Fierit, ka dëshmuar rreth ngjarjes që tronditi opinionin publik.

Në deklarimet e tij të fundit, ai ka shprehur pendesë për krimin e kryer: “Ndihem i penduar dhe u kërkoj falje familjarëve të viktimës”. Sipas tij e gjithë ngjarja ka ndodhur në gjaknxehtësi e sipër, pasi automjeti që drejtohej nga Cenalia për pak u përplas me makinën e 23-vjeçarit në një kthesë të fortë në Baltëz.

“Kur kthehesh direkt nga drejtimi që vjen për tu futur në rrugën e Baltzës, sapo marr kthesën me makinë dhe futem për në rrugën e Baltzës, drejt meje po vinte një autoveturë që mu duk si “Benz” dhe besoj se ishte ngjyrë e zezë. Unë me makinën time, në kthesë e kam prerë menjëherë timonin për të marrë kthesën, pash që shoferi i makinës ma bëri me shenjë dhe nga mimika mu duk se më shau, por unë nuk dëgjova sharje.

Pashë vetëm nga gjestet që bëri dhe personi që drejtonte “Benzin”, ndaloi direkt makinën dhe më pas ndalova edhe unë makinën pak më përpara dyqanit. Të dy në hapëm dyert e makinës dhe unë zbrita nga mjeti. Me drejtuesin e “Benzit” këmbyem fjalë nga makinat me dyer të hapura. Unë i them: ‘për ça më shave’ dhe ai vijoi të më shajë prapë.

Atëherë unë u drejtova drejt tij dhe ai u drejtua drejt meje, unë i thashë: ‘mos shaj se jam me njerëz’ dhe në këto momente shkëmbejmë sharje me njëri-tjetrin. Për një moment personi që zbriti nga “Benzi” vuri dorën në armë dhe në këtë kohë e nxjerr edhe unë nga çanta armën që kisha me vete dhe e mbush, afrohem afër personit dhe i them: ‘për ça më shave’?

Personi në fjalë bëri gjeste me pistoletë dhe mu duk sikur e mbushi dhe unë e kisha nxjerrë pistoletën nga çanta e mbusha dhe e qëllova i pari dhe personi u rrëzua menjëherë në tokë”.

Azgani thotë se pistoletën e mbante prej disa javësh pasi ndihej i kërcënuar!

(Kosova Sot Online)