Albin Kurti takohet me anëtarët e bordit të Trepçës

  • A.P /
  • 15 July 2024 - 18:07
Albin Kurti takohet me anëtarët e bordit të Trepçës

Kryeministri Albin Kurti, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati u takuan me anëtarët e bordit të ri mbikëqyrës të ndërmarrjes publike “Trepça”, të cilët u emëruan së fundmi, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Kurti me ministra diskutoi me anëtarët e këtij bordi “rreth veprimeve të menjëhershme dhe planet dhe synimet afatgjata për ndërmarrjen minerare”, siç njofton Zyra e tij.

“Kryeministri Kurti shprehu gatishmërinë e Qeverisë për ta përkrahur Trepçën kundrejt një plani të qartë të veprimit”, thuhet në njoftim.

ZKM thotë se “Qeveria e Republika e Kosovës synon ruajtjen e pronësisë publike dhe rivitalizimin e Trepçës në përputhje me interesin shoqëror, ekonomik dhe mjedisor”.


Qeveria të mërkurën e javës së kaluar i emëroi pesë anëtarë të bordit mbikëqyrës të ndërmarrjes publike “Trepça”, i cili, siç tha Kurti “parashihet t’i ketë në total 9 anëtarë”.

Kurti tha në mbledhjen e Qeverisë atë ditë se do ta qartësojnë “çështjen e përfaqësimit të punëtorëve në bord” dhe se do të propozojnë “rihapjen e konkursit për pozitat e tjera të lira, duke inkurajuar veçanërisht pjesëtarët e pakicave”.

Ai propozoi Mentor Berishën për kryesues të bordit, dhe Fadil Bejtën, Merita Gashin, Sadije Gashin e Alban Krasniqin, për anëtarë.

 


(Kosova Sot Online)