Posta e Serbisë del me njoftim

  • A.P /
  • 06 August 2024 - 16:18
Posta e Serbisë del me njoftim

Posta e Serbisë ka njoftuar se Policia e Kosovës ka ndaluar në pikën kufitare të Jarinjës, dërgesat postare që po transportoheshin përmes një furgoni të linjës së rregullt mes Rashkës në Serbi dhe Graçanicës në Kosovë, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Posta e Serbisë tha se dërgesa postare e ndaluar, përfshinte letra. Qytetarët e Serbisë mund të dëgojnë përmes postës dokumente të ndryshme, sikurse ato gjyqësore.

Ky pretendim i autoriteteve serbe vjen një ditë pasi në Kosovë u mbyllën nëntë degë të Postës Serbe, pasi autoritetet thanë se ato po vepronin pa licencë.

Posta e Serbisë bëri thirrje për zgjidhjen e kësaj situate, uljen e menjëhershëm të tensioneve dhe që të mundësohet funksionimi pa pengesa i transportit postar në veri të Kosovës.

“Shumë qytetarë dhe kryesisht të moshuar mbështeten në shërbimet tona për transaksionet e përditshme dhe për këmbimet afariste. Veprimi i sotëm i ndalimit të dhunshëm të dërgimit të letrave, ndër të tjera, vështirëson kontaktin mes familjeve, gjë që rrit edhe më tej ndjenjën e pasigurisë në kontekstin e tensioneve etnike”, tha Posta e Serbisë.

(Kosova Sot Online)