Komandanti i KFOR’it sot ka udhëtuar në Beograd

  • A.P /
  • 07 August 2024 - 17:36
Komandanti i KFOR’it sot ka udhëtuar në Beograd

Komandanti i KFOR’it, Ozkan Ulutas, sot në Beograd është takuar me shefin e Ushtrisë së Serbisë, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Forcat e Armatosura të Serbisë kanë njoftuar se në takim është diskutuar për situatën e sigurisë në Kosovë dhe për bashkëpunimin mes ushtrisë serbe dhe KFOR-it “në detyrën tonë të përbashkët për krijimin e një mjedisi të sigurt” në Kosovë.

“Një bisedë u zhvillua gjithashtu për veprimet e ndërmarra nga Forcat e Armatosura të Serbisë dhe nga forcat ndërkombëtare në Kosovë, për vëzhgimin e gjendjes në terren, parandalimin e krijimit të ndonjë krize dhe për të ofruar përgjigje efikase, në rast se siguria kërcënohet”, thuhet në komunikatë referuar veriut të Kosovës.

Forcat e Armatosura të Serbisë kanë thënë se situata e sigurisë në Kosovë është jostabile dhe e ndjeshme.

“Duke pasur parasysh se situata e sigurisë në Kosovë është e paqëndrueshme dhe e ndjeshme, bashkëbiseduesit janë pajtuar se është e nevojshme të vazhdohet bashkëpunimi i mirë që është ruajtur deri më tani dhe komunikimi i drejtpërdrejtë në të gjitha nivelet”, thuhet në komunikatë.


(Kosova Sot Online)