
DASH: Kurti të kthehet në bashkëpunim të afërt me SHBA-të, BE-në dhe NATO’n

Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë reaguar sërish kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që të mos rrezikojë mundësitë për të cilat SHBA-ja thotë se ka ndihmuar Kosovën që t’i krijojë, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Matthew Miller, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, gjatë një konference të mërkurën i kanë rekomanduar kryeministrit Kurti që të kthehet në bashkëpunim të afërt me SHBA-të, Bashkimin Evropian dhe NATO’n.
Po ashtu, ai ka thënë se SHBA-ja ka bashkëpunuar vazhdimisht me liderë politikë të Kosovës që të forcojnë paqen.
Miller u pyet se “cilat do të jenë masat ndaj Kurtit”, por ai refuzoi të përgjigjet për veprimet e së ardhmes.
“Nuk do të spekuloj për veprime në të ardhmen. Çfarë mund të them është se jemi të shqetësuar me vendimet e vazhdueshme të pakoordinuara nga lidershipi i Kosovës. Ne besojmë se ato i rrezikojnë mundësitë të cilat e ndihmuam Kosovën që t’i krijojë”.
“Nëse e shikoni rrëfimin që nga pavarësia e Kosovës, ShBA-ja e ka mbështetur fuqishëm integrimin e saj të plotë në komunitetin ndërkombëtar si demokraci sovrane e multietnike. Por, për ta realizuar këtë vizion, që është vizion të cilin edhe ne e ndajmë, ne kemi bashkëpunuar me liderët e vazhdueshëm politikë të Kosovës në masa që forcojnë paqen dhe prosperitetin brenda ndërsa avancojmë Kosovën në këtë rrugë euro-atlantike në të cilën jeni pajtuar. Do ta inkurajonim qeverinë e Kosovës të kthehet në angazhim të afërt dhe konstruktiv me ShBA-në, BE-në, NATO-n dhe me partnerët tjerë të afërt ndërkombëtarë të Kosovës dhe e kemi bërë atë të qartë, siç po e bëj tani publikisht, ia kemi bërë të qartë qeverisë edhe privatisht”, ka deklaruar ai.
(Kosova Sot Online)