Lexoni edhe:
Rozana Radi nuk njihet me paraqitjen e fundit
Kryeministri Albin Kurti kur mblodhi të mërkurën kabinetin, Urën nuk e kishte kryetemë. Kur e përmendi atë në disa fjali tha se konsultimet dhe koordinimi me partnerë do të vazhdojë, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”..
“Hapja e Urës nuk është kundër askujt, aq më pak ndaj partnerëve tanë”, tha ai.
Të mërkurën, një ditë pas paralajmërimit të Ambasadorit Jeff Hovenier dhe takimit të Kurtit me komandantin e KFOR’it mbi Urën e Ibrit u panë automjete ushtarake të KFOR’it përveç karabinierëve italianë. Më pas ato u larguan.
Rozana Radi nuk njihet me paraqitjen e funditLexoni edhe:
Sido që të jetë mesazhet e forta u dhanë të martën.
Ambasadori amerikan Jeff Hovenier adresoi një lutje ndaj Qeverisë së Kosovës krahas paralajmërimeve për rrezik të sigurisë në tentativën e saj për hapjen e Urës së Ibrit.
“Ju lutemi, mos e ndërmerrni këtë veprim tani”, tha ai derisa tregoi për pakënaqësinë e qeverisë së tij me atë të Kosovës.
Pas pak këtyre deklaratave, KFOR sërish paralajmëroi se nuk do të hezitojë të veprojë në përgjigje të çdo zhvillimi të sigurisë duke shtuar se është i “pozicionuar mirë për të marrë të gjitha masat e nevojshme”. Kurti sot nuk e theksoi shumë çuarjen përpara të planeve për urën, por vazhdimin e koordinimit me partnerët.
Por, Ambasadori amerikan dje në një intervistë radhiti shqetësimet dhe ankesat që kanë për veprimet e Qeverisë së Kosovës në lidhje me hapjen e Urës së Ibrit për qarkullim të automjeteve.
Hovenier tha se tash nuk është koha e duhur ndonëse pajtohen me kryeministrin Kurti se një veprim i tillë duhet të ndodhë.
“Ne besojmë se ura përfundimisht do të duhet të hapet për qarkullim të automjeteve dhe kjo gjë ishte pjesë e dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Është arritur një marrëveshje, por ne i kemi kërkuar Qeverisë që të mos vazhdojë me këtë çështje, tash për tash”, tha ai për rel, duke shtuar se s’është vetëm kërkesë e SHBA-së, por edhe aleatëve tjerë të Kosovës.
“Arsyeja pse e kërkojmë këtë është se besojmë se ka rrezik të njëmendtë që lidhet me një veprim të tillë tani, si dhe besojmë se ky rrezik shton kërcënimin e mundshëm për dhunë dhe probleme të tjera, si për komunitetin lokal, ashtu edhe për ushtarët e NATO-s, përfshirë ushtarët amerikanë, të cilët po punojnë për të ofruar paqe dhe siguri në Kosovë. Dhe, ne i marrim shumë seriozisht veprimet që mund të ndikojnë në sigurinë e ushtarëve amerikanë që punojnë për të mbështetur Kosovën. Pra, kërkesa jonë drejtuar Qeverisë – dhe e kemi bërë këtë bisedë qe disa muaj – është: ju lutemi, mos e ndërmerrni këtë veprim tani. Punoni me ne. Duam të ndihmojmë për të krijuar kushte ku diç e tillë mund të bëhet, por nuk besojmë se është koha tani”.
Hovenier kërkoi të dëgjohet nga qeveria e “vendit më proamerikan në botë”, ndërsa nuk u deklarua për përgjigjen e vendit të tij nëse Kurti bëhet i padëgjueshëm.
“Nuk hyj në çështje hipotetike. Kosova thotë se është partnere dhe mike jona. Kosova na thotë se është vendi më proamerikan në botë, prandaj, do të shpresoja që vendi më proamerikan në botë t’i dëgjojë kërkesat specifike të Qeverisë amerikane për të mos vënë në rrezik ushtarët e NATO-s, përfshirë ata amerikanë”.
Se nëse Kurti i konsideron partnerë ose jo, Hovenier tha se nuk mund të flasë, por ai tha se Qeveria dhe kryeministri aktual i kanë sfiduar Shtetet e Bashkuara.
“Nuk mund të flas se si na konsideron ai. Mund të them vetëm se nga këndvështrimi i Qeverisë së Shteteve të Bashkuara, jemi sfiduar nga kryeministri dhe Qeveria e tij në disa mënyra…dhe më duhet të them se cilësia e partneritetit tonë nuk është ajo që do të shpresonim të ishte për disa nga këto çështje që lidhen me mënyrën se si merret me çështjen e veriut dhe me atë të dialogut”.
Hovenier e bëri haptas kritikën se si Qeveria Kurti i qaset veriut dhe dialogut me Serbinë në Bruksel.
“Nga këndvështrimi ynë, Qeveria e Kosovës nuk është angazhuar në mënyrë konstruktive në dialog në disa mënyra të caktuara. Por, mund të them të njëjtën gjë edhe për Serbinë. Kemi folur për domosdoshmërinë që të dyja vendet të punojmë shumë më shumë për t’i përmbushur të gjitha detyrimet e tyre”.
Pas këtyre deklaratave të Hovenierit u njoftua takimi i Kurtit me komandantin e KFOR-it, Ozakn Ulutas. Misioni i NATO-s doli sërish me paralajmërimin se do të reagojnë ndaj zhvillimeve që e ndikojnë sigurinë në vend, duke e potencuar se veprojnë në mënyrë të paanshme.
“Ne kemi një prani të dukshme dhe fleksibël në mbarë Kosovën dhe komandanti i KFOR-it ka autoritetin për ta përshtatur atë sipas nevojës dhe nuk do të hezitojë të veprojë në përgjigje të çdo zhvillimi të rëndësishëm të sigurisë dhe në përputhje me mandatin tonë të OKB-së. KFOR-i gjithashtu mban një prani fikse në urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë dhe kryen patrullime të rregullta në zonat përreth”.
KFOR përsëriti se ndryshimi i statusit aktual të Urës së Ibrit duhet të bëhen përmes dialogut politik në Bruksel dhe “në mënyrë të koordinuar”.
“Në këtë drejtim, ne vazhdojmë të mbështesim plotësisht dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Është thelbësore që të gjithë aktorët të përmbahen nga deklaratat dhe veprimet e njëanshme që mund të krijojnë tensione. Ky është çelësi për sigurinë e qëndrueshme në mbarë Kosovën – për të mirën e të gjithë njerëzve dhe komuniteteve – dhe për stabilitetin rajonal. KFOR-i ka burime të mira dhe është i pozicionuar mirë për të marrë të gjitha masat e nevojshme për të vazhduar përmbushjen e misionit të tij të mandatuar nga OKB-ja”, tha ndër të tjera KFOR në komunikatën e lëshuar pas takimit.
Ndërkaq, në atë të lëshuar nga Zyra e Kryeministrit u tha se Kurti e kishte njoftuar komandantin Ulutas mbi punët që po zhvillohen në urë, si dhe ia kishte përmendur takimin me qytetarë serbë për çështjen e hapjes së urës në komunën e Mitrovicës së Veriut.
“Ndër temat qendrore ishte hapja e urës kryesore mbi Ibër në Mitrovicë si një gjë e drejtë, e nevojshme dhe e dobishme…Kryeministri u shpreh i bindur se liria e lëvizjes dhe sundimi i ligjit, paqja dhe siguria janë të gjitha të mundura bashkë dhe të duhura”, u tha në këtë komunikatë.
Kurti këtë rresht të fundit e përsëriti edhe sot kur informoi kabinetin qeveritar për zhvillimin në veri.
Duke e përsëritur se hapja e urës s’është kundër askujt, Kurti dha zotimin se do të vazhdojë koordinim mbi këtë çështje me partnerët edhe pse qëndrimet janë krejt të ndryshme.
“Me komandantin Ulutaş, diskutuam edhe për hapjen e urës kryesore mbi Ibër në Mitrovicë, të cilën ne e konsiderojmë si një gjë të drejtë, të nevojshme dhe të dobishme, për të gjithë. I kemi mirëpritur raportet preliminare të vlerësimit të qëndrueshmërisë së urës, rezultatet përkatëse të këtyre raporteve të cilat I kemi ndarë dje menjëherë edhe me komandantin e KFOR-it, Gjeneralin Ulutaş dhe me ekipin e tij, në frymën e konsultimeve dhe koordinimit të vazhdueshëm që kemi. Qeveria e Republikës së Kosovës, dhe unë si kryeministër, besojmë thellësisht se liria e lëvizjes dhe sundimi i ligjit në njërën anë, si dhe paqja e siguria në anën tjetër janë të mundura bashkë dhe të duhura për vendin, shoqërinë dhe shtetin, qytetarët dhe komunitetet. Ne do të vazhdojmë konsultimet dhe koordinimin me partnerët tanë. Hapja e urës nuk është kundër askujt, aq më pak partnerëve tanë. Kosova është shtet normal, dhe urat e saj duhet të janë normale që do të thotë të hapura”, tha sot Kurti.
Për cështjen e Urës, ndërkaq, detaje që Qeveria s’i ka zbuluar më herët dha edhe Zëvendëskryeministri Bislimi.
Ai tha se testimin e Urës së Ibrit e ka kërkuar një shtet anëtar i QUINT’it, pa treguar cili. Ndërsa pohoi se kërkesë për këtë çështje ka pasur edhe emisari Lajçak, që po ashtu është përfillur.
“Në vizitën e fundit të emisarit Lajçak në Kosovë më 19 qershor, gjatë takimit që e patëm, mbi urën e Ibrit ai deklaroi se nëse Kosova nuk preferon ta diskutojë përsëri këtë çështje në Bruksel, rekomandimi i tij ishte që diskutime të brendshme me serbët lokal në veri të zhvillohen, për të adresuar implikimet e mundshme të sigurisë dhe shqetësimet e tyre lidhur me çështjen. Ndërkohë, një partner i QUINT-it, shtoi kërkesën për inspektime teknike. Ne i kemi ndjekur të dyja këto rekomandime” tha Bislimi.
Pas gjithë këtyre zhvillimeve dhe refuzimit të QUINT, NATO dhe BE’së për të dhënë mbështetje për hapjen e Urës së Ibrit mbetet të shihet se çfarë ka vendosur Qeveria e Kosovës.
(Kosova Sot Online)