
Në rastin e Banjskës bashkëpunimi ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit është shumë i rëndësishëm

Bashkëpunimi gjyqësor ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit është shumë i rëndësishëm, por në rastin e Banjskës është Serbia ajo që duhet t’ia dorëzojë Kosovës provat që ka dhe jo e kundërta, mendon Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Ai shton se ky bashkëpunim duhet të jetë në nivel ndërmjet dy shteteve, pasi bëhet fjalë për një vepër të rëndë penale që ka ndodhur në territorin e Kosovës.
Në anën tjetër, Vesna Rakiq-Vodeneliq, profesoreshë e drejtësisë në pension nga Beogradi, mendon se insistimi në bashkëpunimin ndërmjet dy shteteve “do të humbë” shumëçka nga ajo që mund të shërbejë si provë në procese.
Prokuroria e Lartë Publike në Beograd, përmes Misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), ka kërkuar nga Kosova informacion në lidhje me rastin e Banjskës, por Ministria e Drejtësisë e Kosovës më 14 gusht konfirmoi për Radion Evropa e Lirë (REL) se kjo kërkesë është refuzuar.
Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, në një intervistë më 13 gusht, tha se shpreson që Qeveria e Kosovës do të përgjigjet pozitivisht ndaj kërkesës së Serbisë për bashkëpunim në rastin e Banjskës, “sepse dëshironi që të siguroheni që të ketë ndjekje penale dhe që z. Radoiçiq, si dhe të tjerët që ishin të përfshirë, të japin përgjegjësi për veprën e tyre kriminale”.
Çfarë ndodhi në Banjskë?
Një grup i armatosur serb sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë më 24 shtator 2023, duke vrarë policin Afrim Bunjaku, ndërsa në shkëmbimin e zjarrit që pasoi u vranë edhe tre sulmues serbë.
Përgjegjësinë për sulmin e mori Milan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, i cili në Kosovë lidhet me disa vepra penale, duke përfshirë vrasjen e politikanit opozitar serb, Oliver Ivanoviq.
Hetimin për sulmin në Banjskë po e udhëheqin organet gjyqësore të Kosovës dhe Serbisë, por deri më tani asnjëra palë nuk ka ngritur aktakuzë. Kosova e ka cilësuar këtë sulm si terrorist, ndërsa të përfshirët lidhen me shkeljen e rendit kushtetues dhe veprimtarinë kundër sistemit juridik të Kosovës, ndërsa në Serbi ky sulm cilësohet si “bashkëpunim për kryerje të veprave penale, vepër e rëndë kundër sigurisë së përgjithshme dhe prodhimi, mbajtja dhe tregtia e armëve pa leje”.
Miftaraj: Kosova nuk mund të japë informacione për proceset që janë në zhvillim
Ehat Miftaraj për Radion Evropa e Lirë shpjegon se ligjet në Kosovë nuk lejojnë dhënien e informacioneve për ndonjë shtet tjetër në lidhje me proceset gjyqësore që janë në zhvillim.
“Po flasim për një vepër penale e cila, nëse vërtetohet, mund të shqiptohet edhe me dënim të përjetshëm për vepra penale kundër rendit kushtetues dhe juridik të Republikës së Kosovës, vepra që lidhen me agresion do të thotë nga një shtet tjetër”, sqaron ai.
Miftaraj, gjithashtu, shpjegon se Kosova i ka kërkuar bashkëpunim Serbisë në këtë rast, dhe se në fakt është Serbia ajo që duhet t’ia dorëzojë të gjitha informacionet ose provat Kosovës.
“Vepra penale është kryer në territorin e Republikës së Kosovës, është kryer kundër rendit kushtetues dhe juridik të Republikës së Kosovës, andaj autoriteti i vetëm kompetent për të hetuar, ndjekur dhe gjykuar personat përgjegjës për këtë vepër penale janë autoritetet të Republikës së Kosovës. Kështu që, Kosova nuk mund të ndajë informata me Serbinë, e cila mund të fillojë një procedurë gjyqësore paralele”.
“E vetmja mënyrë që Serbia të fillojë një procedurë paralele është që Kosova të pranojë transferimin e procedurës penale në Serbi. Edhe në atë rast kjo do të ishte e vështirë të realizohej, sepse ligji penal e ndalon këtë për veprat penale që mund të ndëshkohen me më shumë se 10 vjet burgim”.
(Kosova Sot Online)