Cila ishte arsyeja zyrtare e vrasjes së Sadri Sadriut nga polici?

  • A.P /
  • 19 August 2024 - 17:26
Cila ishte arsyeja zyrtare e vrasjes së Sadri Sadriut nga polici?

Të premten një 89 vjeçar nga Presheva, mbeti i vrarë në parkingun e një restoranti dasmash në fshatin Bibaj të Ferizajt, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Si të dyshuar për këtë, në paraburgim, ndodhen dy persona- njëri që dyshohet se kreu vrasjen dhe tjetri që dyshohet se i ndihmoi dorasit ta kryejë veprën penale. 

Viktima është Sadri Sadriu, axha i Prindon Sadriut, bashkëshortit të presidentes Vjosa Osmani, një veteran arsimi që thuhet se ka punuar si mësimdhënës edhe në Kosovë.

Gjatë seancës dëgjimore që u mbajt dje në Gjykatën Themelore në Ferizaj, të dyshuarit u mbrojtën në heshtje. Pra, nuk folën asgjë dhe nuk treguan as se çka e pse kishte ndodhur më 16 gusht në Bibaj.

Zyrtarisht, s’ka të dhëna rreth motivit.

Prokuroria tha se dyshohet që vrasja është bërë për “motive të ulëta”, ndërkaq pas vrasjes pati raportime që Sadriu, i kishte dhunuar dy motrat e të dyshuarit, shumë vite më parë, kur ato ishin të mitura. 

Sipas raportimeve, i dyshuari dhe viktima kanë lidhje familjare. Festim Ramadani, zyrtar policor, e kishte burrë të tezës Sadriun.

Lidhur me këto raportime, media ka tentuar të marrë një përgjigje nga organet e sigurisë, mirëpo, fillimisht, nga Policia në Ferizaj thanë se rasti po hetohet nga Inspektorati Policor i Kosovës nën udhëheqjen e Prokurorisë Themelore të Ferizajt.

“Në lidhje me kërkesën tuaj. Rasti i vrasjes së rëndë që ka ndodhur në fshatin Bibaj të Ferizajt, ky i dyshuari është pjesëtari i policisë së rajonit të Ferizajt, ky rast është duke u hetuar nga IPK nën udhëheqjen e  Prokurorisë Themelore të Ferizajt. Andaj ju duhet të kontaktoni Prokurorinë Themelore të Ferizajt”, thanë nga Policia në Ferizaj.

Më pas, Prokuroria i tha Gazetës se në lidhje me rastin janë intervistuar edhe dëshmitarë dhe se po ndërmerren veprime hetimore për zbardhjen e rrethanave.

“Ju njoftojmë se rasti është në procedurë hetimore, disa nga dëshmitarët janë intervistuar dhe Prokurori i Shtetit është duke ndërmarrë gjitha veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e gjitha rrethanave rreth kësaj çështje penale”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë

Por, mbrojtja e të dyshuarit thotë se kualifikimi se vepra është kryer për “motive të ulëta” është konfuz.

Në një bisedë, avokati i të dyshuarit, Arben Isufi, tha se derisa nuk deklarohet klienti i tij nuk mund të përcaktohet motivi.

“Derisa akoma nuk është deklaruar i mbrojturi im nuk mund ta dimë dhe ta përcaktojmë motivin e vrasjes. Deri në këto momente ai nuk është deklaruar, është mbrojtur në heshtje, në seancat në vazhdim ndoshta vendosë të deklarohet dhe atëherë mund ta dimë motivin. Ende nuk dihet motivi. Me klientin jam takuar gjatë seancës që është mbajtur për caktimin e masës së paraburgimit dhe në seancën e parë kur është marrë në pyetje nga ana e policisë. Takim tjetër s’kam pasë me të”, tha ai.

Isufi shtoi se është gabim dhe konfuzion nga Prokuroria që të përcaktohet motivi kur i dyshuari është mbrojtur në heshtje.

“Ky është gabim dhe konfuzitet i prokurorisë sepse e njëjta në kërkesë e ka përcaktu motivin ndërsa në arsyetimin e kërkesës ka shprehë pretendimin se duhet t’i caktohet paraburgimi se është e vështirë të përcaktohet motivi sepse të dyshuarit kanë heshtë. D.m.th ka qenë një konfuzitet i prokurorisë dhe i kemi kundërshtuar gjatë seancës”, tha ai.

“Nuk kam informacione tjera”, tha ai kur u pyet nëse ka mundësi që konstatimi i prokurorisë për motivin të jetë marrë pas intervistimit të dëshmitarëve.

Isufi përsëriti se “nuk mund të përcaktohet motivi gjersa nuk është deklaruar akoma i dyshuari”.

Sadri Sadriu është varrosur të dielën në fshatin Lezbali të Preshevës.

(Kosova Sot Online)