
Kurti: Ky vendim i jep fund diskriminimit të të rinjve

Qeveria ka vendosur nivel të ri të pagës minimale, disa ditë pas hyrjes në fuqi të Ligjit për pagën minimale, që parashihte pagë bruto prej 264 euro për të gjithë të punësuarit, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Me vendimin që u miratua sot, gati në fund të mandatit qeverisës, ora e rregullt e punës do të paguhet 2 euro e që në muaj kjo përkthehet në 350 euro bruto. Pavarësisht kësaj rritje, Kosova mbetet vendi me pagën më të ulët minimale në Evropë.
Kryeministri Albin Kurti tha se ky vendim i jep fund diskriminimit të të rinjve, që me pagën minimale të vendosur në vitin 2011, paguheshin 40 euro më pak se punëtorët mbi moshën 35-vjeçare.
“Sot, pas 13 vitesh, përfundimisht po e ndryshojmë këtë duke e unifikuar pagën minimale për të gjitha grupmoshat pa diskriminim”, deklaroi Kurti.
Nga ky vendim, Kurti tha se preken mbi 150 mijë të punësuar. Fajin për vonesën në rritjen e pagës minimale, ai e drejtoi tek opozita e Gjykata Kushtetuese.
“…nga ai propozim, Ligji u bllokua në Kuvend për më shumë se një vit nga opozita. Pastaj u dërgua në Gjykatë Kushtetuese ku u vonua për 11 muaj. Marrë parasysh këtë distancë kohore, edhe niveli prej 264 euro duket i vjetëruar dhe i pamjaftueshëm. Prandaj sot do të miratojmë një nivel tjetër, që reflekton ndryshimet e këtyre dy viteve dhe realitetin në shoqëri.
Zbatimi i këtij vendimi do të bëhet nga muaji tetor. Arsyet për këtë afat, i shpjegoi Ministri i Financave, Hekuran Murati, i cili shtoi se bashkë me Administratën Tatimore dhe Inspektoratin e Punës do të sigurohen që vendimi po zbatohet.
“Arsyeja për këtë afat shtesë, pra më shumë se një muaj, është që kompanitë, bizneset e ndërmarrjet të kenë mundësinë që të përshtaten në kohë dhe të përshtasin edhe listat e pagave por edhe shkallët e reja të pagave”, deklaroi Murati.
(Kosova Sot Online)