Raporti i KE-së për progresin e Serbisë: Nuk ka pasur asnjë përmirësim

  • A.P /
  • 06 September 2024 - 13:47
Raporti i KE-së për progresin e Serbisë: Nuk ka pasur asnjë përmirësim

Glorifikimi i kriminelëve të luftës, fushatë shpifëse e sulm verbal ndaj mediave që janë opozitë e pushtetit,  ndërhyrja politike në hetimet dhe ndjekjet penale të korrupsionit dhe krimit…janë vetëm disa nga të gjeturat e raportit të fundit të Komisionit Evropian për progresin e Serbisë, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Në raportin e fundit për progresin e Serbisë në fushën e sundimit të ligjit, të përgatitur nga Komisioni Evropian, vlerësohet se vendi ka nevojë për angazhim shtesë si dhe angazhim politik për thellimin e reformave dhe eliminimin e mangësive, veçanërisht në fushat kryesore të gjyqësorin, parandalimin dhe luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, lirinë e medias, si dhe ndjekjen penale të krimeve të luftës.

Është një raport vjetor për progresin e Serbisë, në kapitujt kryesorë 23 dhe 24 në negociatat e anëtarësimit, në të cilin rezultatet janë të nevojshme që vendi të përparojë në procesin e negociatave për anëtarësim.

Që nga fillimi i këtij procesi, Serbia ka dy parakushte kyçe për përparim në negociatat që përfundimisht do të çonin në anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian: dialogun me Kosovën dhe përparimin në kapitujt 23 dhe 24.

Progresi në këta dy kapituj është thelbësor për çdo vend që synon anëtarësimin në BE.

(Kosova Sot Online)