Pasojat e vendimit të Qeverisë së Kosovës për rritjen e pagës minimale
Iniciativa për Progres (INPO) ka analizuar pasojat e vendimit të Qeverisë së Kosovës për rritjen e pagës minimale, duke u fokusuar në zbatimin e kontratave të prokurimit publik, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Ndërsa INPO përkrah rritjen e pagës minimale dhe përmirësimin e kushteve të jetesës, organizata thekson se ky vendim mund të ketë ndikim të madh në veprimtarinë e operatorëve ekonomikë që kanë lidhur kontrata me autoritetet shtetërore.
“Ndryshimi i papritur i pagës minimale mund të sjellë një diferencë të konsiderueshme të kostos operative dhe të rris barrën financiare në ekzekutimin e kontratave”, thuhet në njoftimin e INPO.
Organizata vë në dukje se bizneset që kanë paraqitur oferta bazuar në pagën minimale të mëparshme tani përballen me kosto shtesë të pa planifikuara.
Nga diskutimet me operatorë ekonomikë, INPO ka mësuar se shumë prej tyre kanë shprehur shqetësime për mungesën e dispozitave të qarta në legjislacionin e prokurimit publik për situata të tilla.
“Operatorët kanë paraqitur kërkesa për ndryshime në kontrata, por deri më tani nuk ka udhëzime nga Qeveria për këtë çështje”, thekson INPO.
Organizata apelon për një shqyrtim të situatës dhe për masa që të adresojnë ndikimet negative në qëndrueshmërinë e kontratave.
“Është e nevojshme një dialog i hapur për rishikimin e politikave të prokurimit për të evituar ndikimet e paparashikueshme”, përfundon njoftimi i INPO.
(Kosova Sot Online)