
Zbulohet murali kundër femicidit në Kosovë

Një grua me kokën lartë, me lule në dorë dhe rreth saj këpucë të kuqe të shpërndara, është murali i punuar nga disa të rinj përmes të cilit përçohet mesazhi për luftim të femicidit dhe garantimit të barazisë gjinore, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Ky mural përmes të cilit janë përkujtuar viktimat e dhunës në baza gjinore u zbulua sot në hapësirat e shkollës të mesme të lartë “Xhevdet Doda”, me rastin e Shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Paqes.
Murali është krijuar nga artistë të rinj të komuniteteve të ndryshme shqiptar, serb, rom, ashkali dhe egjiptian.
Për shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Paqes tema për këtë vit është “Kultivimi i një kulture të paqes”.
Shefja e UNMIK-ut në Kosovë, Caroline Ziadeh u shpreh se paqja mund të ndërtohet vetëm duke punuar të gjithë së bashku.
Ziadeh theksoi se çdo akt i vogël dhembshurie, mirëkuptimi, ndjeshmërie dhe bashkëpunimi kontribuon në një botë paqësore.
“Paqja ndërtohet nga paqja. Sot është festë, për ju, për të gjithë ju që jeni në paqe dhe për strukturën e paqes në Kosovë. Paqja nuk është një ëndërr, një ëndërr e largët, është një realitet i prekshëm që mund ta krijojmë së bashku. Çdo akt i vogël dhembshurie, mirëkuptimi, ndjeshmërie dhe bashkëpunimi kontribuon në qëllimin më të madh të një bote paqësore. Bëhet fjalë për efektin kumulativ të shumë veprimeve të vogla dhe pozitive. Dita Ndërkombëtare e Paqes këtë vit, e shënuar më 21 shtator mbart tegelin duke kultivuar një kulturë paqeje…03:38 Le të angazhohemi të jemi ambasadorët e paqes në jetën tonë dhe të frymëzojmë të tjerët të bëjnë të njëjtën gjë. Së bashku, ne mund të ndërtojmë një botë ku paqja nuk është vetëm një fjalë, por një mënyrë jetese. Së bashku, ne mund të nisim një udhëtim për të krijuar një botë që na nevojitet dhe e meritojmë, një botë ku të gjithë mund të arrijnë dhe të realizojnë potencialin e tyre të plotë”, theksoi Ziade.
(Kosova Sot Online)