
Macja e humbur në park udhëton 800 milje për t’u kthyer te pronarët

Për dy muaj, një çift nga Kalifornia ishte me zemër të thyer, duke u shqetësuar për vendndodhjen e maces së tyre të dashur pasi e humbën atë në parkun kombëtar Yellowstone, një vend më i madh se disa shtete amerikane, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Por me përfundimin e verës, historia e tyre tragjike mori fund. Benny dhe Susanne Anguiano u ribashkuan me macen e tyre të humbur Rayne Beau muajin e kaluar pasi një grup për mirëqenien e kafshëve i thirri për t’i njoftuar që macja e tyre ishte gjetur në Roseville, Kaliforni, rreth 800 milje (1,287 km) nga Yellowstone.
Në qershor, çifti shkoi në kamping në parkun kombëtar, ku macja e tyre u tremb nga diçka në shkretëtirë. Rayne Beau vrapoi në pemë dhe ata nuk e panë më për 60 ditë. Gjatë udhëtimit, ata kërkonin çdo ditë, duke shtruar ëmbëlsira dhe lodra me shpresën se macja do të kthehej, por pa sukses.
“Duhej të largoheshim pa të”, tha Susanne Anguiano për KSBW. “Ajo ishte dita më e vështirë sepse ndjeva sikur po e braktisja”.
Në fillim të gushtit, mikroçipi i Rayne Beau erdhi në ndihmë, shkruan The Guardian.
Çifti mori një mesazh nga Pet Watch, një shërbim për gjurmimin e kafshëve shtëpiake, duke treguar se macja e tyre ishte gjetur në Roseville në degën lokale të një shoqate kafshësh. Një grua e kishte gjetur Rayne Beau vetëm në rrugë dhe e kishte dërguar në strehë.
Susanne tha se macja ishte pa shumë energji kur u gjet dhe nuk kishte mundur të shkojë më larg.
Susanne së pari ndau historinë e tyre në Facebook, duke shpjeguar se nuk e kishte treguar më parë sepse “ishte shumë traumatike”.
Saktësisht se si Rayne Beau udhëtoi 800 milje nga Yellowstone në Roseville mbetet një mister, por çifti tha se ata shpresojnë se ndarja e historisë së tyre mund të nxisë dikë të dalë me ndonjë detaj. Në intervistën e tyre në KSBË, çifti u kërkoi gjithashtu pronarëve të tjerë të kafshëve shtëpiake që të instalonin gjurmues për të shmangur humbjen e kafshëve të tyre përgjithmonë.
Rreth 10 milionë qen dhe mace humbasin ose vidhen çdo vit në SHBA, sipas Shoqatës Amerikane të Mjekësisë Veterinare. Vetëm një në 50 mace në strehimore kthehen te pronarët e tyre, por me një mikroçip, gati dy nga pesë ribashkohen me familjet.
(Kosova Sot Online)