Vulin ka vazhduar me propagandën e tij duke e lavdëruar Rusinë

  • A.P /
  • 21 October 2024 - 07:56
Vulin ka vazhduar me propagandën e tij duke e lavdëruar Rusinë

Serbia vazhdon manipulimin e popullit të saj. Këtë herë njeriu i sanksionuar nga Amerika që presidenti serb ia besoi një post të lartë në qeverinë e Serbisë ka vazhduar me propagandën e tij, gjithmonë duke mbrojtur e lavdëruar Rusinë, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Dje, zëvendëskryeministri serb Aleksandar Vulin tha në Beograd se Serbia nuk ka vendosur dhe nuk do të vendosë sanksione ndaj Rusisë.

Ai këtë e ka thënë pasi pjesëmarrësit e “Regjimentit të Pavdekshëm”, manifestim në të cilin serbët kujtojnë ‘të rënët në luftërat për liri’, arritën në qendër të Beogradit, në Sheshin e Republikës, pasi kishin ecur nga monumenti i Çlirimtarëve të Beogradi në vitin 1944, ku vendosën një kurorë lulesh.

Në krye të kolonës ishte një pankartë e madhe “Regjimenti i pavdekshëm – Serbi” të cilin së bashku me qytetarët e mbanin presidenti i nderit i saj, ministri Nenad Popoviq dhe ministrat Irena Vujoviq dhe Aleksandar Vulin.

Vulin deklaroi se “populli serb është i vetmi në Evropë që falë presidentit të vendit, Aleksandar Vuçiq, nuk ka dhe nuk do të vendosë sanksione ndaj Rusisë”.

“Serbia i është mirënjohëse Rusisë për luftën shekullore për liri, për mbështetjen e integritetit dhe sovranitetit tonë territorial dhe për faktin se ne kurrë, në asnjë moment të historisë sonë, nuk kemi qenë në anë të ndryshme. Ne jemi i vetmi komb në Evropë që lejohet ta themi këtë me zë të lartë”, theksoi Vulin.

Popoviç theksoi se është e rëndësishme të kujtojmë “paraardhësit tanë që së bashku me Ushtrinë e Kuqe dhanë jetën e tyre për të jetuar të lirë“, duke theksuar se Serbia dhe Rusia ishin gjithmonë në anën e duhur.

“Ka përpjekje për të rishikuar historinë, për të treguar viktimat si xhelatët dhe xhelatët si viktima. Prandaj është e rëndësishme që edhe ne të kemi këtë lloj përkujtimi të 80-vjetorit të çlirimit të Beogradit dhe më 9 maj do të festojmë edhe fitoren ndaj Gjermanisë fashiste”, tha Popoviq.

(Kosova Sot Online)