Kremlini vazhdon përpjekjet e manipulimit të rinisë ruse

  • A.P /
  • 21 October 2024 - 08:34
Kremlini vazhdon përpjekjet e manipulimit të rinisë ruse

Më shumë se dy vjet e gjysmë pasi Vladimir Putin filloi atë që ai e quan një “operacion special ushtarak” në Ukrainë, efektet e tij tek të rinjtë rusë po bëhen gjithnjë e më të dukshme, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Në vend, të rinjtë përballen me indoktrinim të fortë dhe kufizime gjithnjë e më të rrepta të lirive. Disa të rinj përpiqen të shpërfillin situatën, ndërsa ata që rezistojnë, si ata që u vënë flakën qendrave ushtarake, përballen me dënime të rënda, edhe pse janë ende shumë të rinj.

Shërbimi ushtarak bëhet veçanërisht i rrezikshëm, sepse ndonëse ligji nuk lejon zyrtarisht rekrutët të përfundojnë në zonat e luftës, pakkush mendon se ky ligj respektohet. Regjimi i Putinit tani po dikton se si do të jetojnë dhe vdesin të rinjtë rusë. Ata janë gjithnjë e më shumë nën represion, por edhe manipulim. Shumë të rinj zgjedhin të përshtaten me realitetet e reja, shpeshherë duke injoruar problemet politike dhe duke pranuar shpërblimet që ofron regjimi, si privilegjet në ushtri dhe kompleksin ushtarako-industrial, shkruan Forina Afers.

Në Perëndim, shpesh supozohej se të rinjtë ishin të pakënaqur me Putinin dhe se ata mund të inicionin ndryshime në vend. Megjithatë, ky brez nuk ka përjetuar kurrë asgjë tjetër përveç Rusisë së Putinit, as nuk ka përjetuar demokraci të vërtetë. Për shkak të kësaj, shumë kanë mësuar vlerën e personalizimit. Regjimi i Putinit përdor lëvizjet rinore dhe propagandën për të formuar besnikërinë e tyre.

Të rinjtë rusë kanë treguar sjellje kontradiktore gjatë gjithë historisë së tyre. Deri në vitin 2018, ata midis moshës 18 dhe 24 vjeç ishin më besnikë ndaj Putinit, gjë që lidhej me rritjen ekonomike gjatë viteve të mëparshme të sundimit të Putinit. Ndonëse gëzonin përfitimet e tregut dhe konsumizmit, ata nuk përvetësuan vlerat demokratike, sepse nuk përjetuan zgjedhje të lira. Deri në vitin 2018, ndërsa Rusia u bë më e mbyllur, të rinjtë u bënë më skeptikë ndaj regjimit.

Në fillim të viteve 2010, protestat e udhëhequra nga Alexei Navalny tërhoqën vëmendjen e brezave të rinj, pasi ai fliste një gjuhë moderne dhe vuri në dukje korrupsionin brenda qeverisë. Edhe pse protestat po bëheshin gjithnjë e më popullore, gjeneratat e vjetra kishin akoma më shumë fuqi votuese. Kremlini u përgjigj duke intensifikuar propagandën, duke shtypur me dhunë protestat dhe duke kontrolluar mediat.

Shumë media të pavarura janë mbyllur dhe rrjetet sociale si Facebook dhe Instagram janë ndaluar, duke i lënë të rinjtë pa një platformë për të shprehur mospajtimin.

Lufta në Ukrainë solli arsye të reja për manipulimin e të rinjve. Shteti tani promovon në mënyrë agresive shërbimin ushtarak dhe organizatat patriotike si Junarmija dhe Lëvizja e të Parëve. Të rinjtë janë të angazhuar në detyra ushtarake, duke përfshirë montimin e dronëve dhe krijimin e rrjetave të kamuflazhit, ndërsa disa shkolla mësojnë nga librat shkollorë që promovojnë ideologjinë revanshiste. Kompensimi financiar për ushtarët tërheq të rinjtë, sepse në vitin e parë ata mund të fitojnë deri në 5.2 milion rubla (rreth 55,000 dollarë), gjë që i motivon ata të marrin pjesë në operacione ushtarake.

Sektori kulturor dhe artistik nuk është i imunizuar ndaj këtyre ndryshimeve. Aktorët dhe artistët e rinj heshtin ndërsa regjimi shkatërron kulturën e pavarur. Artistë të famshëm, si Lija Ahezhakova, u detyruan të largoheshin nga skena dhe regjisorët përfunduan në burg për gjoja “ekstremizëm”. Në korporatat dhe institucionet shtetërore, profesionistët e rinj vazhdojnë të punojnë për regjimin, duke i justifikuar veprimet e tyre duke pretenduar se zbatojnë vetëm urdhra.

Regjimi i Putinit po ndërhyn gjithnjë e më shumë në sistemin arsimor, duke promovuar kurse që forcojnë patriotizmin dhe besnikërinë ndaj shtetit.

Aleksandar Dugin, një ultra-nacionalist i njohur, mbron “militarizimin e arsimit” për të çrrënjosur ideologjinë perëndimore.

Megjithatë, jo gjithçka është kaq e thjeshtë. Mes të rinjve në Rusi ka nga ata që janë kundër luftës dhe politikave të regjimit. Ata nuk duan të sakrifikohen për regjimin dhe ndonjëherë tregojnë guxim, qoftë edhe në rrezik burgu. Edhe pse shumë të rinj e mbështesin luftën, kjo mbështetje është më e dobët se te gjeneratat e vjetra.

Në korrik 2024, sondazhet treguan se 80% e atyre mbi 55 vjeç mbështesin veprimet ushtarake, ndërsa tek të rinjtë e moshës 18 deri në 24 vjeç, kjo përqindje është 66%.

Kremlini vazhdon të përpiqet të manipulojë rininë, por këto të dhëna tregojnë se brezi i ri nuk është plotësisht i nënshtruar ndaj regjimit.

(Kosova Sot Online)