
Vuçiq: Kurti e hapi Merdaren nën presion, e detyruan dy shtete

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq e ka cilësuar lajm të mirë hapjen e pikës kufitare në Merdar për mallrat serbe, duke theksuar se kryeministri i Kosovës e ka pranuar “pro forma” sepse është detyruar ta bëjë këtë, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Ai ka thënë se gjermanët dhe amerikanët e kanë “detyruar”, sipas tij, Kurtin që të heqë ndalesën për produktet serbe.
“Kamionët presin me ditë për të hyrë. Më së shumti janë prodhimet tona, ka edhe prodhues serbë, por ato që shkojnë më shumë atje janë prodhimet e fabrikave tona që janë në duar të huaja, por sigurisht që është gjithmonë një lajm i mirë për të gjithë njerëzit tanë. Është më mirë kështu se sa ishte”, tha Vuçiq.
“Produktet e fabrikave tona që janë në duar të huaja, që nga Henkel e deri tek të gjitha të tjerat. Më së shumti tregtojnë në territorin e krahinës jugore serbe. Por sigurisht, ky është një lajm i mirë për të gjithë njerëzit tanë të tjerë”.
Ndryshe, në reagimin e parë për anulimin e pjesshëm të hyrjes së mallrave serbe nga Kosova, Vuçiq ka theksuar më 7 tetor se nuk ka besim nga Qeveria e Kosovës dhe se “pret marifete të reja”.
(Kosova Sot Online)