
Drecun me deklarata shpifëse për AKI-në e SHISH-in, Islami thotë se propaganda nuk do të ketë sukses

Njohësi i çështjeve të sigurisë Avni Islami ka publikuar një video me disa deklarata shpifëse të Milovan Drecun, kryetar i të ashtuquajturit “Komision Parlamentar për Kosovën”, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Ky i fundit sipas Islamit, në një televizion serb që kontrollohet nga qeveria serbe, ka sulmuar strukturat e sigurisë në Kosovë e Shqipëri.
Eksperti i sigurisë thotë se qëllimi i Drecun është arritja e humbjes së besimit që perëndimi ka ndaj AKI e SHISH.
“Milovan Drecun i cili njihet si gazetar, gjatë luftës në Kosovë ka edhe përgjegjësi edhe për vrasjen e vëllezërve Mazreku, e që vërtet ka qenë bashkëpunëtor i KOS-it, qenka mësyrë t’i sulmojë me shpifje shërbimet e inteligjencës së Kosovës (AKI) dhe të Shqipërisë (SHISH). Ku tjetër përveç se në Tanjug”, ja shkruar Islami.
Sipas Islamit, qëllimi i tij është tua humbë besimin AKI dhe SHISH te partnerët perëndimorë.
“Por kjo nuk do të ketë sukses, siç nuk ka pasur sukses kur gjatë viteve 1998 dhe 1999 përpiqej t’i quante terroriste edhe UÇK-në, edhe NATO-n”, ka shkruar Islami afër videos ku ka paraqitur deklaratat e Drecun me titra shqip.
(Kosova Sot Online)