
Me ndihmën e Dodikut, kompania televizive ruse po hapet në Banja Llukë

Kompania televizive ruse “Russia Today” planifikon të hapë zyrën e korrespondencës në Banja Lukë deri në fund të vitit, mëson portali CAPITAL. Kjo do të jetë media e parë ruse me korrespondencë në Bosnje dhe Hercegovinë, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Siç njofton ky portal, rrjeti mediatik i drejtuar nga Organizata Autonome Jofitimprurëse ruse “TV Novosti” selinë e tij për këtë rajon do ta ketë në RT Balkan në Beograd, ku para dy vitesh u lansua portali në gjuhën serbe.
Është planifikuar formimi i dy ekipeve gazetareske televizive që do të raportojnë nga Bosnja dhe Hercegovina, si dhe hapja e një korrespondenti në Kosovë.
Meqë ra fjala, RT është në “listën e zezë” të Departamentit Amerikan të Shtetit për shkak të akuzave për përhapjen e propagandës dhe dezinformatave nga Kremlini.
Ju kujtojmë se në fillim të marsit 2022, Këshilli i Bashkimit Evropian mori një vendim për të pezulluar menjëherë transmetimin e mediave ruse Sputnik dhe RT/Russia Today në të gjithë BE-në “derisa Federata Ruse dhe mediat e lidhura me të të pushojnë së kryeri nga veprimet e dezinformimit dhe manipulimit të informacionit kundër BE-së dhe shteteve anëtare të saj”.
(Kosova Sot Online)