
Ja kush pret kohë të vështira për Kosovën pas rikthimit të Trump

Ish-shefi i stafit të kongresistit amerikan Eliot Engel dhe bashkautor i një raporti për Kosovën, Jason Steinbaum, ka thënë se pret që Kosova të kalojë në një periudhë të vështirë pas ardhjes së administratës Trump në SHBA, transmeton gazeta Kosova Sot Online.
Steinbaum tha se do të ketë pengesa në rrugë, duke përmendur ish-emisarin Richard Grenell si një arsye për këtë, duke pasur parasysh raportet jo të mira që ai kishte me kryeministrin Kurti në të kaluarën.
“Mendoj se do të kalojmë në një periudhë të vështirë, siç thonë. E dimë që ka pasur disa mospajtime ndërmjet kësaj qeverie aktuale në Kosovë dhe disa prej njerëzve të lidhur me ish-Presidentin Trump, si Rick Grenell dhe të tjerë. Si do të zhvillohet kjo, sa kohë do të emërojë Trump Rick Grenell për këtë rajon, ende nuk e dimë. Por dimë që Grenell ka një interes të fortë për këtë rajon dhe ka pasur konflikte me Kryeministrin Kurti. Kështu që do të ketë disa pasoja. Pres të ketë pengesa në këtë rrugë; a do të jenë pasoja apo dënime, këtë nuk e dimë ende. Por dimë gjithashtu që Grenell dhe Kushner kanë interesa financiare në Serbi, dhe kjo mund të ndikojë në zhvillime, sepse ne e dimë që ish-Presidenti Trump, gjatë administratës së tij të parë, angazhoi interesat e tij ndërkohë që po zhvillonte punët publike. Kjo ishte pjesë e asaj për të cilën u akuzua. Ai u mor në pyetje për këtë. Do ta shohim si do të zhvillohet tani. Nuk kam arsye të besoj se do të veprojë ndryshe”, deklaroi ai.
I pyetur nëse Kosova ka ndonjë detyrim ndërkombëtar sipas dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian dhe mbështetur nga Shtetet e Bashkuara për të përmbushur detyrimin e saj në krijimin e Asociacionit, Steinbaum tha:
“Kosova është në këto rrethana dhe me këtë draft të statutit që është vënë në tavolinë përpara qeverisë së Kosovës. Kosova është përgjegjëse për qytetarët e saj nën kushtetutën e saj dhe për të zbatuar ligjet e saj me përpikëri. Kështu që përgjegjësia kryesore e saj është zbatimi i detyrimeve ndaj qytetarëve të saj në kuadër të kushtetutës së saj”, u shpreh ai në një intervistë për tv21.
(Kosova Sot Online)