Haxhi Shalës i vazhdohet paraburgimi

  • A.P /
  • 06 December 2024 - 08:45
Haxhi Shalës i vazhdohet paraburgimi

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë është marrë vendim për vazhdimin e paraburgimit ndaj Haxhi Shalës me arsyetimin se ekziston rreziku që ai të kryej vepra penale të tjera duke përfshirë edhe pengimin e procedurave gjyqësore, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Kjo u bë e ditur përmes konferencës javore nga zëdhënësja e DhSK-së, Angela Griep.

“Më 4 dhjetor, Trupi Gjykues I urdhëroi vazhdimin e paraburgimit të Haxhi Shalës. Trupi Gjykues konstatoi se vazhdon të ekzistojë rreziku i arratisjes, si dhe rreziku që z. Shala të pengojë ecurinë e procesit dhe/ose të kryejë vepra penale të mëtejshme. Megjithëse theksoi se kushtet e propozuara më parë nga Mbrojtja do të mund të zvogëlonin mjaftueshëm rrezikun e arratisjes, Trupi Gjykues konstatoi se ato nuk zvogëlojnë rrezikun që z. Shala të pengojë ecurinë e procesit”, tha Griep.

Sipas Griep, trupi gjykues ka konstatuar se nëse Shala lirohet do të ketë mundësinë që të ndikojë mbi dëshmitarin 1 ose t’i manipulojë provat.

“Trupi Gjykues mori parasysh se në rast se lirohet, z. Shala do të ketë motivin, mjetet dhe mundësinë për të ushtruar trysni ndaj dëshmitarit 1 ose për të manipuluar provat në ndonjë mënyrë tjetër. Trupi Gjykues konstatoi se këto rreziqe mund të zvogëlohen mjaftueshëm vetëm përmes kornizës për monitorimin e komunikimeve që zbatohet në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara”, tha Griep.

Ndërsa në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është hedhur kërkesa e mbrojtjes së Thaçit për lejeapelim të një vendimi për pranimin në prova të një dokumenti që lidhte me besueshmërinë e një dëshmitari.

“Trupi Gjykues në çështjen gjyqësore të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, më 3 dhjetor hodhi poshtë kërkesën e Mbrojtjes së Thaçit për leje për apelim të vendimit për pranimin si provë të një dokumenti nga një gjykim në TPNJ lidhur me sjelljen dhe besueshmërinë e një dëshmitari. Trupi Gjykues konstatoi se pjesa relevante e dokumentit u diskutua me dëshmitarin, dëshmitari dha komentet e veta në lidhje me të gjatë pyetjeve të palës kundërshtare, dhe se rrjedhimisht nuk ishte e nevojshme që dokumenti të paraqitej më tej për pranim si provë”, tha Griep.

Zëdhënësja e DhSK-së, njoftoi se trupi gjykues ka konstatuar se vlerësimi i besueshmërisë së një dëshmitari është ekskluzivisht përgjegjësi e trupit gjykues.

“Trupi Gjykues përsëriti se provat, përfshirë mospërputhjet e mundshme, do t’i vlerësojë pas mbylljes së fazës së paraqitjes së provave dhe në kontekst të tërësisë së provave që i janë paraqitur”, tha ajo.

Në anën tjetër, Griep njoftoi se gjatë kësaj jave ka dhënë dëshmi Sokol Bashota . Ndërsa, pas Bashotës, dëshmi dha dëshmitari i 110-të i cili ishte me masa mbrojtëse.

Kjo ishte seanca e fundit për këtë vit në këtë rast dhe e radhës është caktuar me 13 janar 2025.

Kurse, në rastin ndaj Pjetër Shalës, me 28 nëntor është lëshuar vendimi mbi parashtrimin e përbashkët për redaktimet e propozuara në dosjen gjyqësore përfundimtare të Mbrojtjes përgjigjen e Mbrojtjes ndaj kërkesës së Mbrojtësit të Viktimave për zhdëmtim.

Gjithashtu, Griep njoftoi se u urdhërua mbrojtja që të dorëzojë versionet e redaktuara publike të këtyre dokumenteve sipas udhëzimeve në vendim.

“Trupi Gjykues theksoi se kishte vlerësuar çdo redaktim të propozuar rast pas rasti, duke marrë parasysh, ndër të tjera, parashtrimet e Mbrojtjes, Prokurorisë, Mbrojtësit të Viktimave dhe Njësisë për Mbrojtjen dhe Mbështetjen e Dëshmitarëve, parimin e procesit publik dhe detyrën e Trupit Gjykues për të garantuar sigurinë dhe mirëqenien e viktimave dhe dëshmitareve”, tha Griep.

Griep gjithashtu njoftoi edhe për emërimin e Pjotër Hofmanski në Regjistrin e Gjykatësve Ndërkombëtarë të Dhomave të Specializuara pas dorëheqjes së gjykatësit Antonio Balsamo si gjykatës i Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese për arsye profesionale.

(Kosova Sot Online)