Radojiçiq organizoi ekskursion për filloristët serbë nga Kosova

  • A.P /
  • 16 December 2024 - 08:11
Radojiçiq organizoi ekskursion për filloristët serbë nga Kosova

Kryeterroristi serb, Milan Radojiçiq, të cilin Serbia nuk po e nxjerr dot para drejtësisë për sulmin e Banjskës, ka organizuar udhëtim dimëror për nxënësit serbë të shkollave fillore nga komunat e Kosovës, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Grupi i këtyre nxënësve nga Kosova përfshinte 300 nxënës, kryesisht nga komunat e Novobërdës, Vitisë, Gjilanit dhe Kamenicës. Të njëjtit ishin akomoduar në njërin prej hoteleve, në bjeshkët e Zlatiborit.

Kishte edhe nxënës nga Plemtini.

Në njërin prej njoftimeve të lëshuara nga disa prej shkollave të nxënësve që udhëtuan, thuhet se atje pjesëmarrësit realizuan shumë aktivitete. Madje, ata kanë pranuar vet se udhëtimi është organizuar nga Radoiçiq, të cilin shkolla e quan si ‘aksion humanitar.

“Se pakta e dikujt mund të thotë shumë, tregoi një aksion humanitar i sponsorizuar nga bashkëqytetari ynë Milan Radoiçiq”, thuhet në përshkrimin e shkollës fillore “Branko Radiçeviq” në Mitrovicë, e cila ka treguar edhe nga cilat vende të Kosovës ishin nxënësit që shkuan në këtë ‘aksion humanitar’.

Ky udhëtim që do të merrte nxënës serbë nga Kosova dhe do të bartte për në Zlatibor, thuhet të jetë realizuar nga gjashtë deri më tetë dhjetor.

Megjithatë raportohet se këta nuk janë i vetmi grup të cilët udhëtuan. Madje, një autobus me fëmijë serbë nga Kosova, është aksidentuar në Kralevë, gjatë kthimit pas ekskursionit të organizuar po nga Milan Radojiçiq.

Zëvendësdrejtori i Spitalit të Përgjithshëm të Studenicës, Milan Maksimoviq, ka konfirmuar se fëmijët e lënduar nga përplasja në afërsi të Kralevës janë mirë, se njëri tashmë është liruar për trajtim shtëpiak.

E në njoftimin e MUP-it serb nuk është përmendur në asnjë moment se fëmijët janë nga Kosova.

Në njoftimin zyrtar të publikuar nga Kossev, aty raportohet vetëm sipërfaqësisht për aksidentin dhe shkaqet që quan deri tek ai aksident

Sikur Kosova ashtu edhe ndërkombëtarët i kanë bërë thirrje Serbisë që autorët e sulmit terrorist në Banjskë të Republikës së Kosovës, të nxirren para drejtësisë.

Kërkesa specifikisht kishte të bënte me dorëzimin dhe ekstradimin në Kosovë të kryeterroristit, Milan Radojiçiq, i lartpërmenduri se organizoi ekskurzion për nxënës e dikur prirës i sulmit që la të vrarë policin tashmë hero, Afrim Bunjakun.

Askush nga autoritetet e Republikës së Kosovës apo respektivisht nga Ministria e Arsimit ende nuk është deklaruar mbi këtë zhvillim. 

(Kosova Sot Online)