Maqedonci: Beogradi ta dorëzojë grupin e Banjskës

  • A.P /
  • 07 January 2025 - 14:20
Maqedonci: Beogradi ta dorëzojë grupin e Banjskës

Ministri i Mbrojtjes në Kosovë, Ejup Maqedonci ka deklaruar se kërcënimi serb ndaj Kosovës nuk ka përfunduar. Duke iu referuar deklaratave të kryeministrit Albin Kurti të disa ditëve më parë, Maqedonci theksoi se sulmi në Banjskë i 24 shtatorit 2023 dhe ai ndaj infrastrukturës kritike më 29 nëntor të vitit të kaluar, nuk priten të jenë të fundit sulme ndaj Kosovës, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

“Dua të sqaroj opinionin publik, edhe në Shqipëri, veçanërisht shqiptarët e Republikës së Kosovës është fakt që ushtria e Kosovës, Policia e Kosovës dhe të gjitha institucionet e sigurisë në Kosovë janë të përgatitura që të përballen me çdo sfidë dhe kërcënim që synon të cenojë sovranitetin, integritetin territorial por edhe jetën e qytetarëve.

Është thënë edhe nga kryeministri edhe nga unë shumë herë që kërcënimi dhe rreziku nuk ka përfunduar vetëm me tentativën e aneksimit të territorit tonë më 24 shtator, 2023 dhe as me sulmin terrorist kundër infrastrukturës kritike më 29 nëntor të vitit të kaluar”, u shpreh Maqedonci në RTSH.

Ministri i Mbrojtjes së Kosovës shpjegoi se kërcënimet që i kanosen Kosovës vijnë prej qasjes hegjemoniste dhe agresive të Serbisë.

Sipas tij, përderisa Serbia mban në Kushtetutën e saj Republikën e Kosovës si pjesë territoriale të saj, atëherë kjo tregon se çfarë synimesh ka Beogradi si në aspektin politik por edhe në fushën e sigurisë.


(Kosova Sot Online)