
Kapen mbi 2 kg drogë në Prishtinë

Policia e Kosovës ka zhvilluar mbrëmë një aksion policor në lagjen Kodra e Trimave në Prishtinë pas arrestimit të tre personave në fshatin Shkabaj, si të dyshuar për shitblerje dhe shpërndarje të substancave narkotike, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Si rezultat i bastisjeve, janë kapur mbi dy kilogramë substancë narkotike e llojit marihuanë dhe janë arrestuar disa persona.
Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se droga e ndarë në disa paketime u kap në shtëpinë e njërit prej të dyshuarve që përfundoi në pranga të Policisë.
Tre të dyshuarit u ndaluan nga Njësia e Reagimit të Shpejtë në fshatin Shkabaj dhe pas kontrollit policor, u gjetën rreth 20 paketime me marihuanë.
Burimet e njëjta kanë bërë me dije se përveç drogës, Policia ka konfiskuar edhe veturën e të dyshuarve dhe disa telefona.
Pas përfundimit të procedurave, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor ndaj tre të arrestuarve dhe ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme brenda afatit ligjor.
(Kosova Sot Online)