
PZAP e gjobit Vetëvendosjen me mbi 25 mijë euro

Lëvizja Vetëvendosje, në krye me Albin Kurtin, është gjobitur me 25 mijë e 500 euro për shkelje gjatë fushatës. Ankesat janë dorëzuar nga PDK, LDK dhe Instituti Demokratik i Kosovës (KDI). Pagesën e këtyre gjobave, VV obligohet ta bëjë brenda 15 ditësh nga plotfuqishmëria e vendimeve të PZAP, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Gjoba më e lartë që i ka shqiptuar Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa kësaj partie është për katër ankesat që i ka dorëzuar PDK’ja. Për këto shkelje VV është gjobitur me 15 mijë euro.
Ankesat kanë qenë për pastime e mesazhe nga ata që PDK pretendon se janë mbështetës së VV’së.
Në përgjigje ndaj këtyre ankesave, VV ka thënë se personat që kanë bërë këto pastime nuk mund të identifikohen si mbështetës të Vetëvendosjes.
“Paneli, pas shikimit të shkresave të lëndës të ofruar si provë materiale, dhe postimet në Facebook, vlerëson se përdorimi i kësaj gjuhe nga simpatizantët e subjektit politik të LVV’së, Reshat Krasniqi, Halil Geci dhe Albin Forca të postuar në rrjetin social Facebook, me emrin “Albin Forca’, në kuadër të fushatës zgjedhore, konsiderohet shkelje e rregullave zgjedhore në Kosovë, ngase veprimi i marrë në kohë të fushatës zgjedhore ka për qëllim të krijojë një lidhje negative ose të nxisë ndjenja të urrejtjes dhe krijoj atmosferë tensioni dhe përçarje”, thuhet në vendimin e PZAP.
(Kosova Sot Online)