'Ukrainës do t’i ndodhë ajo që i ka ndodhur Kosovës'

  • A.P /
  • 19 February 2025 - 07:38
'Ukrainës do t’i ndodhë ajo që i ka ndodhur Kosovës'

Besar Gërgi nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike i sheh diskutimet që po bëhen për luftën në Ukrainë të ngjashme me ato që u bënë në vitet 1990 për luftërat në rajon. Të martën Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Rusia kanë diskutuar për luftën në Ukrainë, në një takim të organizuar në Arabinë Saudite, e ku përfaqësues të Ukrainës nuk ishin pjesë, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Gërgi në Interaktiv ka theksuar se pavarësisht angazhimit të të tjerëve, si për luftërat në Bosnje e Kosovë, rezultatet erdhën vetëm pas përfshirjes së SHBA-së. Është shprehur se Ukrainës do t’i ndodhë ajo që i ka ndodhur Kosovës.

“Ukrainës në një mënyrë do t’i ndodhë ajo që i ka ndodhur Kosovë, ish-agresori do të rehabilitohet, do të shihet si një lloji aleati potencial dhe Ukrainës do t’i kërkohet t’i bëjë disa lëshime në krahasim me ish-agresorin që të arrihet një paqe më afatgjate… I gjithë ky diskutimi rreth Ukrainës ditët e fundit është një lloj ‘deja vu’ e luftërave të viteve 90 në rajonin tonë. Kishte ‘shumë’ angazhim evropian në Bosnjë dhe Kosovë,  por nuk kishte asnjë rezultat. Rezultati erdhi vetëm pas intervenimit të SHBA-së…”, ka thënë ai.

Gërgi ka shtuar se SHBA-ja e sheh Kinën si rrezikun më të madh për interesat e saj, dhe se kjo sipas tij mund ta shtyjë atë në aleancë me Rusinë.

“Sot jetojmë në një realitet ku SHBA-ja e sheh Kinën si rrezikun më të madh të interesave të tyre afatgjate strategjike… Në këtë kontekst administrata Trump e sheh Rusinë si aleate potenciale për arsye gjeopolitike, duke qenë se Rusia e bllokon qasjen e Kinës në Arktik. Në bisedimet e sotme në Riad ishte bashkëpunimi potencial i SHBA-së me Rusinë në rajonin e Arktikut që de facto do thoshte mbyllje e polit verior ndaj Kinës”, u shpreh ai.

Ai sheh rezultate pozitive nga diskutimet e 18 shkurtit në Riad.

“Rezultatin e këtyre negociatave do ta përcaktojë realiteti në terren. Duke qenë se Ukraina ka pasur një luftë relativisht të suksesshme, e ka ndalur pushtimin e plotë rus, fakti që Ukraina ka qëndruar do të thotë se deri diku do të ketë rezultat pozitiv në këto negociata. Por, sipas gjasave Ukraina do duhet të heqë dorë nga pozitat e saj maksimaliste, pra nuk do të ketë rikthim të kufijve të vitit 1991”, potencoi Gërgi.

Siç ka theksuar Gërgi, “është e natyrshme” që për ta afruar Rusinë SHBA-ja mund të bëjë disa lëshime, e “këtu nuk mund të përjashtojmë edhe tërheqjen e trupave amerikane nga vendi ynë”./Koha

(Kosova Sot Online)