Tre vjet më parë, Rusia nisi sulmet kundër Ukrainës

  • A.P /
  • 24 February 2025 - 07:51
Tre vjet më parë, Rusia nisi sulmet kundër Ukrainës

Ishte ditë e enjte kur Rusia në mëngjesin e hershëm të lëshoi sulmet ndaj Ukrainës pavarësisht paralajmërimeve të ndërkombëtarëve për pasoja ekonomike e të tjera, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Në këtë ditë të vitit 2022, Rusia nisi një pushtim tokësor të territorit të Ukrainës, duke shënuar fillimin e një lufte të re në tokën evropiane.

Kievi sot nuk duket më si një qytet në luftë siç ishte tre vjet më parë.

Dyqanet janë të hapura, por bllokimet e trafikut e bëjnë të vështirë mbërritjen në punë. Por që nga 12 shkurti i këtij viti, kur Donald Trump zhvilloi një bisedë telefonike me Vladimir Putinin, janë rikthyer makthet e vitit 2022 për shkatërrimin e mundshëm të Ukrainës.

Edhe pse ukrainasit kritikuan Joe Biden për kufizimin e dërgesave të armëve, ata e dinin se ai ishte në anën e tyre. Situata është e ndryshme me Trump, pasi deklaratat e tij publike shpesh janë të ngjashme me narrativat e Putinit, shkruan BBC.

Trump akuzoi Ukrainën për fillimin e luftës dhe e quajti Volodymyr Zelensky një “diktator”. Strategjia e tij negociuese me Rusinë përfshin lëshime, të tilla si deklarimi se Ukraina nuk do të anëtarësohet në NATO dhe pranimi që Rusia do të mbajë një pjesë të territorit që ka marrë me forcë. Qëndrimi i deritanishëm i Putinit tregon se ai respekton forcën, ndërsa lëshimet i sheh si shenjë dobësie. Ministri i tij i Jashtëm Sergei Lavrov përsëriti kërkesën që trupat e NATO-s të mos lejohen të hyjnë në Ukrainë për të ofruar garanci sigurie.

Në një bisedë me Ihor Brusylo, këshilltarin e Zelenskit, u theksua se sa i rëndë është presioni që Trump po i bën Ukrainës. “Këto janë kohë shumë të vështira, kohë sfiduese,” tha Brusylo. Ukrainasit mbeten të vendosur të luftojnë për pavarësinë e tyre dhe të jenë pjesë e Evropës.

Në javët pas pushtimit rus në 2022, Kievi ishte pothuajse bosh dhe mijëra civilë iknin drejt perëndimit me tren çdo ditë. Volodymyr Zelensky vendosi të qëndronte në kryeqytet dhe nuk donte të formonte një qeveri në mërgim, gjë që inkurajoi më tej ukrainasit. Trupat ukrainase arritën të zmbrapsnin një sulm rus në Kiev, i cili ndryshoi qëndrimin e aleatëve perëndimorë dhe rriti furnizimin me armë.

Në mars 2022, trupat ruse u tërhoqën nga Kievi, duke lënë pas prova të krimeve të luftës në qytetet Irpin, Bucha dhe Hostomel. Dëshmitarët folën për brutalitetin e ushtarëve rusë dhe trupat e civilëve u lanë në rrugë, shpesh të djegura për të mbuluar krimet.

Sot, megjithëse Kievi është ringjallur, lufta vazhdon në një front mbi një mijë kilometra të gjatë, nga kufiri verior me Rusinë deri në Detin e Zi. Forcat ukrainase po luftojnë forcat superiore ruse, duke përfshirë ushtarë nga Koreja e Veriut të dërguar nga Kim Jong Un.

Ushtarët ukrainas mbeten të përqendruar në mbrojtjen e pavarësisë, pavarësisht se shumë mendojnë se është më mirë të jesh pa ata që nuk janë gati për të luftuar.

Vullnetarët që luftuan në 2022 janë sot ose të vrarë, të plagosur ose të rraskapitur nga lufta. Një nga ndarjet më të këqija në shoqërinë ukrainase është midis atyre që luftojnë dhe atyre që paguajnë ryshfet për të shmangur shërbimin ushtarak. Megjithatë, ushtarët ukrainas besojnë se janë më mirë pa individë të tillë në front.

Reagimet e Kosovës pas nisjes së luftës nga Rusia në Ukrainë, ishin të menjëhershme.

Udhëheqësit më të lartë të institucioneve të Kosovës, dënuan sulmet ushtarake ruse ndaj shtetit të Ukrainës, si dhe dënuan vendimin e Moskës që të njohë si shtete të pavarura dy rajonet lindore ukrainase, Luhansk dhe Donjeck, që kontrollohen nga separatistët pro-rusë. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kyeparlamentari, Glauk Konjufca dhe kryeministri, Albin Kurti, në një deklaratë të përbashkët thonë, se “Strategjia e ndjekur nga Moska për të krijuar përmes sulmit ushtarak entitete fantazëm brenda territorit të Ukrainës, grumbullimi masiv i forcave ushtarake në kufijtë e Ukrainës dhe sulmi masiv dhe i paprovokuar kundër qyteteve dhe fshatrave të Ukrainës është një ndër goditjet më të rrezikshme që i është bërë arkitekturës së sigurisë ndërkombëtare të ndërtuar pas Luftës së Dytë Botërore”.

Sipas udhëheqësve politik të Kosovës, sulmi ndaj Ukrainës është sulm ndaj vlerave demokratike, ndërkaq, theksohet, se “në Ukrainë mbrohen vlerat universale të paqes, demokracisë dhe të së drejtës së popujve për vetëvendosje”. Po ashtu, në deklaratë thuhet se krahasimet që presidenti rus, Vladimir Putin, ka bërë midis Gadishullit ukrainas të Krimesë dhe Kosovës, janë të paqëndrueshme.

Presidenti rus, Vladimir Putin, tha këtë të martë se bashkësia ndërkombëtare duhet të njohë aneksimin e Krimesë nga Rusia në vitin 2014, si “pasqyrim i ligjshëm i zgjedhjes së banorëve lokalë”, duke e krahasuar atë me pavarësinë e Kosovës. “Tendenca e diktatorit Putin për t’iu referuar rastit të Kosovës dhe për të tërhequr paralele janë tërësisht të paqëndrueshme, abuzive dhe përpjekje për të kamufluar mungesën e çfarëdo baze dhe arsyetimi të sulmit barbar të forcave të tij kundër një shteti sovran”, thuhet në deklaratën e përbashkët të udhëheqësve të institucioneve të Kosovës, ku theksohet qartë se “Kosova do të punojnë me aleatët që t’i kundërvihen tendencave “destabilizuese të Rusisë” në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Madje qeveria e Kosovës ka marrë vendim për të strehuar gazetarët ukrainas në Kosovë, strehim ky i përkohshëm, si pasojë e luftës në Ukrainë.

Në Kosovë, në kuadër të programit “Journalists in Residence – Kosovo”, aktualisht janë disa gazetarë ukrainas dhe një afganë, teksa nga ky program kanë përfituar edhe pesë gazetarë ukrainas dhe katër afganë.

Atyre u mundësohet një pagë mujore, akomodim në banesë, kushte pune, kurse të gjuhës dhe të integrimit, si dhe ndihmë psiko-sociale sipas nevojës.

Përveç ndihmës përmes këtij programi, shteti i Kosovës ka dënuar pushimin rus të Ukrainës dhe u është bashkuar sanksioneve ndërkombëtare të vendosura ndaj Moskës.


(Kosova Sot Online)