
VV: Votat e diasporës janë përcaktuese për formimin e qeverisë së re

Votat e diasporës janë përcaktuese për formimin e qeverisë së re, tha sot ministrja e Drejtësisë dhe anëtarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Haxhiu, në një konferencë për media pas mbledhjes së qeverisë të mërkurën, tha se Vetëvendosje tashmë i ka partnerët e koalicionit qeverisës. Tha se ata janë partia Guxo dhe Alternativa.
Ajo tha se Vetëvendosjes i përket obligimi për formimin e institucioneve.
“Sa i përket çështjes së zgjedhjeve, siç e ka thënë kryeministri, ne jemi fitues i qartë i këtyre zgjedhjeve. Do të thotë, Lëvizja Vetëvendosje është fituesi i qartë i këtyre zgjedhjeve. Neve na takon obligimi për formimin e institucioneve. Siç e dini, Vetëvendosje i ka tashmë partnerët e koalicionit, Guxo dhe Alternativa, dhe me të cilët do të vazhdojmë qeverisjen së bashku. Na duhet të presim vetëm edhe pak”, tha Haxhiu.
Haxhiu u shpreh se votat e diasporës do të jenë përcaktuese në rezultatet përfundimtare dhe, rrjedhimisht, edhe në formimin e qeverisë.
“Siç jeni njoftuar sot fillon numërimi i votave të mërgatës tonë. Prandaj, votat e diasporës janë shumë të rëndësishme dhe besoj se janë përcaktuese që qeveria jonë të formohet dhe të drejtohet nga kryeministri Albin Kurti”, tha Haxhiu.
(Kosova Sot Online)