Dorëzohet në polici vëllai i boksierit të vrarë Besar Nimanit

  • A.P /
  • 28 February 2025 - 09:54
Dorëzohet në polici vëllai i boksierit të vrarë Besar Nimanit

Pas të shtënave para gjykatës së qarkut Bielefeld, i dyshuari Berat Nimani është dorëzuar të enjten mbrëma, njoftoi policia, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Ai është vëllai i boksierit Besar Nimani, i cili u qëllua për vdekje në vitin 2024. Avokati i tij kishte njoftuar se Nimani pritet të dorëzohet në polici.

Sipas raportimeve, ai u shfaq në selinë e policisë në Bielefeld në mbrëmjen e vonë të së enjtes i shoqëruar nga avokati i tij. Ai do të dalë para gjykatësit të premten. Akuzat ndaj Berat Nimanit janë të rënda: Ai po hetohet për katër akuza të vrasjes së mbetur në tentativë në lidhje me lëndime të rrezikshme trupore.

Pas të shtënave para gjykatës së qarkut Bielefeld të mërkurën, policia e shpalli në kërkim.

Rreth orës 13:40 të së mërkurës, katër persona u qëlluan, pranë Gjykatës Rajonale të Bielefeldit: dy 25-vjeçarë, një 23-vjeçar dhe një 63-vjeçar. Policia konfirmoi të enjten në mbrëmje se gjendja e të gjithë të lënduarve është stabile.

Dy të dyshuar u arrestuan përkohësisht të mërkurën, por tani janë sërish të lirë. Dyshimi nuk është vërtetuar, tha policia të enjten në mëngjes. Ndërkohë, Gjykata Rajonale e Bielefeldit ka anuluar seancën e caktuar për të premten në gjykimin e vrasjes në vazhdim.

(Kosova Sot Online)