
Zelensky u bën thirrje aleatëve për trysni ndaj Putinit

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, u ka bërë thirrje aleatëve t’i bëjnë trysni Rusisë për ta ndalur luftën kundër Ukrainës, duke nisur me një armëpushim ajror dhe detar, pasi Moska e kreu një sulm masiv me dronë dhe raketa ndaj infrastrukturës së energjisë dhe gazit në shumë rajone ukrainase të premten, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Zelensky tha në rrjetet sociale të premten se Rusia i shkrepi gati 70 raketa lundruese dhe balistike, si dhe i lëshoi rreth 200 dronë kundër objekteve të ndryshme të energjisë në Ukrainë.
Gjatë sulmit u goditën edhe ndërtesat e banimit.
Zelensky nuk tregoi nëse ka të vdekur nga sulmi, i cili ndodhi në një kohë kur janë rritur përpjekjet diplomatike për bisedime për paqe. Një delegacion ukrainas do të udhëtojë në Arabinë Saudite javën e ardhshme, për t’u takuar me zyrtarët amerikanë, me qëllim për ta gjetur një kornizë për një marrëveshje për paqe.
“Hapat e parë për ta vendosur paqen e mirëfilltë duhet të jenë ta detyrosh burimin e vetëm të kësaj lufte, që është Rusia, për t’i ndalur pikërisht këto sulme kundër jetës”, shkroi Zelensky.
“Kjo mund të kontrollohet në mënyrë reale. Heshtje në qiell – ndalimi i përdorimit të raketave, dronëve me rreze të gjatë dhe bombave ajrore. Dhe gjithashtu heshtje në det – një garanci e vërtetë për lundrim normal”, shtoi ai.
Sulmi masiv, i 30-ti ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës që nga fillimi i pushtimit të gjerë nga Rusia në vitin 2022, është pjesë e një strategjie më të gjerë të Rusisë për ta goditur sektorin jetik energjetik të Ukrainës. Në dy javët e fundit, sulmet ruse kanë goditur në mënyrë të përsëritur objektet energjetike në rajonin e Odesës.
Forcat Ajrore të Ukrainës thanë se sulmi filloi në orën 3:03 të mëngjesit kur Rusia lëshoi raketa lundruese Kalibr nga Deti i Zi. Menjëherë pas kësaj, u dha një paralajmërim për dërgimin e një avion luftarak MiG-31K, i cili bart raketa hipersonike Kinzhal.
Forcat ruse gjithashtu lëshuan një breshëri dronësh në një sulm të koordinuar.
Zelensky tha se avionët F-16 dhe Mirage-2000, të ofruar nga Franca, u përdorën për të ndihmuar në zmbrapsjen e sulmit.
Si rezultat i sulmit të premten, Polonia i aktivizoi sistemet e saj të mbrojtjes ajrore dhe ngriti avionët luftarakë. Forcat e Armatosura të Polonisë thanë se, për shkak të aktiviteteve ajrore me rreze të gjatë të Rusisë, Polonia dhe aleatët e saj kanë nisur një operacion ajror për ta vëzhguar dhe për t’iu përgjigjur çdo kërcënimi.
Naftohaz, kompania shtetërore e gazit në Ukrainë, konfirmoi se ky ishte sulmi i 17-të i kombinuar ndaj infrastrukturës së saj.
Drejtori ekzekutiv i kompanisë, Roman Chumak, tha se objektet e prodhimit, thelbësore për nxjerrjen e gazit, u dëmtuan rëndë, por përpjekjet për rikuperim tashmë kishin filluar.
Pavarësisht mohimeve të përsëritura të Moskës se nuk e sulmon infrastrukturën civile, Ukraina dhe organizatat ndërkombëtare i kanë quajtur këto sulme krime lufte.
(Kosova Sot Online)