Qalaj: Rutte vjen me kërkesën për formimin e Qeverisë

  • A.P /
  • 11 March 2025 - 08:47
Qalaj: Rutte vjen me kërkesën për formimin e Qeverisë

Ish-deputeti i PDK-së, përkatësisht anëtari i Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, Rashit Qalaj, deklaron se vizita e sekretarit të NATO-s, është e rëndësishme në momentumin në të cilin ai po vjen, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

‘’Vizita e sekretarit të NATO-s në Kosovë është e një rëndësie të veçantë, gjithmonë duke pasur parasysh momentumin që jemi duke jetuar dhe kur them momentumin e kam fjalën për gjendjen aktuale në Kosovë pas zgjedhjeve të përgjithshme’’ thotë ai.

Sipas tij, tema që do të diskutohet do të jetë formimi i institucioneve të Kosovës pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.

‘’Njëra nga temat që do të diskutohet nga sekretari i NATO-s me liderët e Kosovës do të jetë kërkesa dhe nevoja për formimin sa më të shpejtë të institucioneve’’ thotë ai.

Po ashtu, sipas Qalajt, temë diskutimi do të jetë edhe për sigurinë e Kosovës pas ardhjes në pushtet të Presidentit Donald Trump.

‘’Do të diskutohet për çështjen e sigurisë pas ardhjes në pushtet të Presidentit Trump dhe sfida me të cilën është duke u ballafaquar pjesa më e madhe e botës e veçanërisht Evropa. Ka bëjë me çështjen e sigurisë dhe formimit të institucioneve’’, u shpreh Qalaj. 

(Kosova Sot Online)