
Kosovarët edhe për vitin 2025 janë më të lumturit në rajon

Kosovarët edhe për vitin 2025 janë më të lumturit në rajon, sipas Raportit Botëror të Lumturisë, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Kosova, ashtu si vitin e kaluar, mban vendin e 29-të në listën e shteteve më të lumtura në botë. Studimi u zhvillua në 147 shtete.
Vendet tjera të Ballkanit Perëndimor renditen relativisht larg nga Kosova sa i përket nivelit të lumturisë.
Serbia renditet në vendin e 31-të, Shqipëria renditet në vendin e 89-të. Bosnja renditet në vendin e 56-të, Mali i Zi në vendin e 71-të, Maqedonia e Veriut në vendin e 86.
Renditja, e publikuar nga Qendra Kërkimore e Mirëqenies në Universitetin e Oksfordit, u përcaktua përmes anketave të vetëvlerësimit ku individët vlerësuan jetën e tyre nga një shkallë nga 0-10. Zero është jeta më e keqe e mundshme dhe 10 jeta më e mirë e mundshme.
Ky është Raporti i 13-të vjetor i Lumturisë Botërore, i publikuar për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Lumturisë të OKB-së.
Për herë të tetë radhazi, finlandezët janë më të lumturit në botë.
(Kosova Sot Online)