Plenkoviç: Për marrëveshje me Kosovën e Shqipërinë nuk e pyesim Serbinë

  • A.P /
  • 21 March 2025 - 09:30
Plenkoviç: Për marrëveshje me Kosovën e Shqipërinë nuk e pyesim Serbinë

Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, ka deklaruar se marrëveshja e fundit ushtarake mes Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës nuk kërkon miratimin e Serbisë apo NATO-s, duke theksuar se ajo nuk ka karakter armiqësor, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Plenkoviq ka reaguar pas deklaratave të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, i cili e akuzoi këtë bashkëpunim për shkelje të marrëveshjes së vitit 1996 dhe për nxitje të një “gare armësh”.

“Shpresoj që dikush të marrë pesë minuta për të lexuar tekstin e marrëveshjes mes Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës. Kjo është një marrëveshje e përbashkët për bashkëpunim dhe reforma, jo një akt armiqësor”, ka deklaruar Plenkoviq.

Ai shtoi se Kroacia nuk ka nevojë të kërkojë leje nga askush për këtë bashkëpunim.

“Ne e krijuam një dokument që ndihmon përpjekjet e tyre për reforma. Unë e kuptoj që duhet kërkuar një armik, por kjo marrëveshje nuk është e natyrës armiqësore. Kroacia nuk ka nevojë të pyesë askënd për këtë, as Serbinë dhe as NATO-n”, ka deklaruar të enjten Plenkoviq.

Kosova, Shqipëria dhe Kroacia nënshkruan më 18 mars në Tiranë një deklaratë për forcimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, e cila shkaktoi reagime në Serbi.


(Kosova Sot Online)