
Gjykata e BeH kërkoi lëshimin e një urdhër-arresti ndërkombëtar për Dodikun

Bëhet e ditur zyrtarisht se Gjykata e Bosnjë-Hercegovinës ka kërkuar lëshimin e një urdhër-arresti ndërkombëtar për Presidentin e Republikës Srpska, Milorad Dodik dhe Kryetarin e Asamblesë Kombëtare të RS, Nenad Stevandiq, pasi kanë kaluar kufirin shtetëror dhe për ta është lëshuar një urdhër arresti i brendshëm, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Gjykata e BeH-së e ka dorëzuar kërkesën për fletarrest ndërkombëtar në zyrën e Interpolit në Sarajevë dhe që urdhërarresti ndërkombëtar të jetë efektiv duhet të miratohet nga selia në Lion, konfirmohet për Klix.ba.
Dodik kaloi kufirin shtetëror të hënën për herë të parë që nga lëshimi i një urdhër-arresti për të, duke hapur mundësinë e lëshimit të një urdhër-arresti ndërkombëtar. Pas një qëndrimi të shkurtër në Serbi, ai u nis menjëherë për në Izrael ku ndodhet aktualisht.
Policia Kufitare e BeH po heton se si Dodik ka kaluar kufirin, duke qenë se ka raportime se delegacioni, me rotacion, ka kaluar pikën kufitare të Raçës pa ndalim të detyrueshëm.
Nenad Stevandiq kishte kaluar më parë kufirin shtetëror, duke shkuar në Serbi në ditën e bllokadës së madhe të studentëve më 15 mars. Ai u kthye në BiH pas disa ditësh dhe publiku mbeti i pavetëdijshëm se si u kthye në vend.
Të dy, së bashku me kryeministrin e RS-së, Radovan Vishkoviq, janë të dyshuar në rastin e Prokurorisë së BeH, që ka të bëjë me veprën penale të sulmit ndaj rendit kushtetues. Së fundmi është lëshuar urdhër arresti, por u vlerësua se rreziku i sigurisë ishte shumë i madh për procedurën e zakonshme të kryerjes së arrestit.
(Kosova Sot Online)