2 prilli festohet çdo vit si 'Dita botërore e ndërgjegjësimit për autizmin'

  • A.P /
  • 02 April 2025 - 09:17
2 prilli festohet çdo vit si 'Dita botërore e ndërgjegjësimit për autizmin'

Në përpjekje për të rritur ndërgjegjësimin global për autizmin, 2 Prilli është caktuar si “Dita Botërore e Ndërgjegjësimit për Autizmin”. Qëllimet e kësaj dite janë të ndërgjegjësojnë njerëzit të kuptojnë dhe pranojnë personat me autizëm, të nxisin mbështetjen në mbarë botën dhe të frymëzojnë të tjerët për të krijuar kushtet e përshtatshme për të gjithë ata që vuajnë ka çrregullim, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Çfarë është autizmi?

Autizmi është një gjendje neurologjike që manifestohet gjatë fëmijërisë së hershme, pavarësisht nga gjinia, raca, statusi socio-ekonomik i karakterizuar nga probleme në komunikimin shoqëror dhe gjuhësor, sjellje të përsëritura dhe interesa të kufizuara.

Historia e Ditës Botërore të Ndërgjegjësimit për Autizmin

Dita Botërore e Ndërgjegjësimit të Autizmit u caktua me një rezolutë të miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara më 1 nëntor 2007, duke theksuar nevojën për të rritur ndërgjegjësimin e publikut rreth autizmit dhe për të punuar në mënyrë aktive drejt fuqizimit dhe pranimit të individëve me autizëm, si dhe njohjen e kontributit të tyre në shoqëri. Asambleja e Përgjithshme e OKB-së shpalli njëzëri 2 Prillin si Ditën Botërore të ndërgjegjësimit të Autizmit për t’i kujtuar shoqërisë nevojën për të përmirësuar cilësinë e jetës së atyre me autizëm dhe për t’i ndihmuar ata të bëhen pjesë e domosdoshme e strukturës sociale.

Tema e Ditës Botërore të Ndërgjegjësimit të Autizmit 2025

Këtë vit, OKB-ja ka përzgjedhur temën "Përparimi i Neurodiversitetit dhe Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm të OKB-së (SDGs). Konkretisht kjo temë fokusohet në mënyrën sesi praktikat dhe politikat gjithëpërfshirëse mund të ndihmojnë njerëzit me autizëm.


(Kosova Sot Online)