
Kurti është dënuar me 250 euro që s’shkoi për të dhënë dëshmi në Prokurori

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me 250 euro kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për mosparaqitje në Prokurorinë Speciale për të dëshmuar në rastin e rezervave shtetërore, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Për këtë dënim, zyra e kryeministrit ka paraqitur ankesë.
Gjykata më 4 mars kishte lëshuar urdhër ndaj Kurtit për t’u paraqitur në Prokurori dhe për të dëshmuar, mirëpo Kurti nuk ishte paraqitur.
Avokati kosovar Xhevdet Smakiqi ka thënë se me këtë gjobë janë përmbushur kushtet ligjore të nenit 132 të KPPRK-së për caktimin e masës së paraburgimit 30 ditore në rastin e dëshmitarit , Albin Kurtit.
Smakiqi ka treguar se asnjë herë në Gjykatat e Kosovës nuk ka ndodhur një rast i tillë ku një dëshmitar ka refuzuar të shkoj të dëshmoj në Prokurori për ndonjë rast të caktuar.
“Konsiderojmë se është hera e parë që 132 i Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës sfidohet zbatimi i tij në të gjithë paragrafët, sepse deri sot në praktikën Gjyqësore nuk ka ndodhur një dëshmitar të jetë refuzues edhe kur gjendet në Kosovë, i dihet adresa në të gjitha rastet gjykata i ka sjellur me detyrim për të dëshmuar. Rasti dëshmitarit refuzues që fshihet pas karriges së Kryeministrit dhe votat të qytetarëve po sfidon edhe PSRK edhe Gjykatën por edhe nenin 132 të KPPRK-së”, ka thënë ai.
Avokati ka shtuar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh për kryeministrin në detyrë.
“Prandaj, meqë tashmë Gjykata e ka gjobitur dëshmitarin refuzues, Albin Kurti duhet shikuar se dëshmitari a e ka paguar gjobën prej 250 euro në afatin e urdhrit për gjobë, nëse jo atëherë gjyqtari i Procedurës Paraprake duhet të krijojë bindjen se ky dëshmitar nuk duhet të gjobitet përsëri pasi që një urdhër për paraqitje fizike në PRSK e ka refuzuar se nuk ka respektuar shtuar këtu edhe deklarimet publike për refuzim. Krijohet bindja e mjaftueshme se janë përmbushur kushtet ligjore nga neni 123 i KPRK-së që ndaj dëshmitarit Albin Kurti të caktohet masa e paraburgimit prej 30 ditësh”, është shprehur Smakiqi.
(Kosova Sot Online)