Konjufca synon të diskutojë me krerët e partive për seancën konstituive

  • A.P /
  • 03 April 2025 - 16:03
Konjufca synon të diskutojë me krerët e partive për seancën konstituive

Përgatitjet për seancën konstituive të Kuvendit e cila është caktuar me 15 prill, tashmë kanë filluar, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka caktuar 8 prillin, ditën në të cilën ai do të takohet me përfaqësues të partive politike që kanë siguruar ulëse në Kuvend, ku do të diskutojnë për përgatitjet e seancës konstituive të legjislaturës së nëntë. Sipas shefit të tij stafit, Ilir Kërçeli, Konjufca synon t’i tubojë krerët e partive për këto çështje.

Ashtu siç është duke u raportuar, kjo mbledhje, do të mbahet duke filluar nga ora 12:00.

Në seancën e 15 prillit, e cila fillimisht udhëhiqet nga deputeti më i vjetër dhe më i riu,  pritet të zgjidhen kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit, dhe deputetët e rinj bëjnë betimin.

(Kosova Sot Online)