Miratohet raporti i Piculës për Serbinë në komisionin e PE

  • A.P /
  • 09 April 2025 - 12:42
Miratohet raporti i Piculës për Serbinë në komisionin e PE

Komisioni për Politikë të Jashtme i Parlamentit Evropian miratoi raportin e emisarit të Parlamentit Evropian për Serbinë, Tonino Picula për Serbinë për vitin 2023 dhe 2024. Raporti u miratua me 55 vota për, 13 kundër dhe 8 abstenime. Në raport, BE-ja kritikon Serbinë për mungesën e progresit në procesin e anëtarësimit, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Megjithëse dokumenti konfirmon përkushtimin strategjik të Serbisë për integrimin evropian, në të njëjtën kohë ai tregon për mangësi serioze në fusha kyçe si sundimi i ligjit, gjyqësori dhe përafrimi me politikën e jashtme të BE-së.

Shqetësuese të veçanta janë problemet sistematike të theksuara nga protestat e studentëve në të gjithë Serbinë.

Parlamenti Evropian shpreh shqetësim të thellë mbi pretendimet për kufizime të lirive qytetare, mungesën e transparencës institucionale dhe financiare, si dhe presionet politike mbi komunitetin akademik.

Raporti thekson nevojën për të respektuar marrëveshjet e arritura më parë midis Kosovës dhe Serbisë, si dhe ndjekjen urgjente të atyre që janë përgjegjës për sulmin terrorist në Banjskë në vitin 2023.

Drafti dënon fuqishëm akuzat e pabaza të autoriteteve serbe se vendet anëtare të BE-së janë përfshirë në organizimin e protestave studentore me qëllim të shkaktimit të një “revolucioni të ngjyrosur”. Raporti gjithashtu shqyrton problemet në fushën e lirisë së medias, duke shprehur shqetësimin për transparencën e pamjaftueshme të pronësisë dhe financimit të mediave.

Deputetët miratuan edhe 33 amendamente, të cilat kryesisht i referohen kritikave ndaj Serbisë për shkak të bashkëpunimit të ngushtë me Federatën Ruse dhe shmangies së sanksioneve ndaj këtij vendi.

PE përsërit qëndrimin e tij se negociatat e pranimit me Serbinë duhet të përparojnë vetëm nëse vendi respekton sanksionet e BE-së kundër Rusisë dhe bën përparim të rëndësishëm në reformat që lidhen me BE-në, veçanërisht në fushën e bazave, sipas një prej amendamenteve të miratuara, i cili është bërë pjesë integrale e raportit.

Mirëpo, deputetët kërkojnë që Komisioni Evropian të jetë më i qartë dhe më i ashpër ndaj autoriteteve në Serbi.

“PE përsëritë shqetësimin në lidhje me qasjen e butë të Komisionit ndaj Serbisë në kontekstin e shkuarjes mbrapa të vendit në sundimin e ligjit, demokracisë dhe të drejtave themelore, si dhe ndikimin e tij destabilizues në të gjithë rajonin dhe i bën thirrje Komisionit të BE-së të përdorë një gjuhë më të qartë, duke adresuar vazhdimisht mungesën e konsiderueshme të progresit dhe madje edhe kthimin prapa në ruajtjen e vlerave kryesore të BE-së”, thuhet në tekst.

Raporti për Serbinë do të përfshihet si propozim për Rezolutë të Parlamentit të BE-së në seancën prej 5-8. maj në Strasburg.

(Kosova Sot Online)