Berisha: Zero tolerancë ndaj korrupsionit

  • A.P /
  • 12 April 2025 - 15:15
Berisha: Zero tolerancë ndaj korrupsionit

Me ardhjen në pushtet, kryedemokrati Sali Berisha është shprehur se do të ketë një luftë të ashpër ndaj korrupsionit në Shqipëri, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Gjatë fjalës së tij në ceremoninë e hapjes së fushatës elektorale për zgjedhjet e 11 Majit, Berisha u shpreh se auditi i përgjithshëm i "narkoshtetit" do të rikthejë në xhepat e shqiptarëve qindra miliona euro të vjedhura.

Ai akuzoi qeverinë aktuale për shpërdorimin e pasurive dhe pasigurinë që ka shkaktuar korrupsioni, ndërsa premtoi se të gjithë ata që janë pjesë e organizatave kriminale dhe ministrat e përfshirë në korrupsion do të dalin përpara ligjit.

Pjesë nga fjala e kreut të PD, Sali Berisha:

Pastrimi i shtëpisë edhe njëherë, Zoti e do Shqipërinë kur ne ta pastrojmë atë.

Zoti vjen në shtëpi kur ne ta pastrojmë atë.

Ndaj dhe u garantoj se zero tolerancë ndaj korrupsionit do të jetë motoja jonë.

Të dashur miq, njeriu i lirë, njeriu i punës, njeriu i ndershëm nuk ka armik më të egër se korrupsionin e qeveritarëve të tij.

Korrupsioni vret mundësitë e të rinjve, vret mundësitë e njerëzve,

Korrupsioni mbjell krimin dhe pasigurinë.

Korrupsioni mbjell skamjen dhe varfërinë.

Jam këtu për t’u zotuar para shqiptarëve se zero tolerancë ndaj shpërdorimit dhe vjedhjes së pasurive të tyre, parave të tyre.

Jam këtu për t’u dhënë fjalën shqiptarëve se auditi i përgjithshëm i narkoshtetit do u rikthejë shqiptarëve qindra miliona euro më shumë të vjedhura prej tyre.

Jam këtu para jush për t’u zotuar se organizatat kriminale kudo që janë, në Shqipëri, në Aruba, Dubai, kudo që ndodhen, do vendosen përpara ligjit dhe bashkë me ta ministrat kriminelë, ministrat hajdutë.

Ligji dhe vetëm ligji, të drejtat e qytetarëve, shteti ligjor, janë dhe do mbeten motoja jonë.

Miqtë e mi, Shqipëria Madhështore është vetëm Shqipëria e ëndrrës së këtyre të rinjve.

Ndaj dhe Shqipëria do jetë madhështore kur ta shndërrojmë në epiqendër të teknologjive më të larta.

Kur ta vendosim Shqipërinë në trenin e revolucionit të teknologjisë së lartë, ta shndërrojmë atë në epiqendër të dataqendrave, të inteligjencës artificiale, të kriptomonedhave, të internetit 3.

Pra, a mund t’i bëjë këto një njeri që mbyll TikTokun?

Ky burrec 2 metra i gjatë ka frikë nga të rinjtë, ka frikë nga teknologjia, ka frikë nga rinia.

11 maji është fundi i tij.

(Kosova Sot Online)