Limaj: Ne do të punojmë fort në shërbim të vendit

  • A.P /
  • 14 April 2025 - 15:10
Limaj: Ne do të punojmë fort në shërbim të vendit

Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj tha se “nuk ka marrëveshje me askënd deri më sot” lidhur me qeverinë e re, por tha se është i gatshëm të ulet e të bisedojë me “këdo që ofrohet”, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Pas regjistrimit në Kuvend, ai tha se bashkë me dy deputetet e Nismës së kthyer në Kuvend do të tregojnë “shkallë të lartë të pjekurisë politike”.

“I siguroj të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, natyrisht edhe votuesit tanë, aktivistët tanë, që ne do të punojmë fort në shërbim të vendit”, tha Limaj.

Nisma, tha ai, do të jetë “si gjithmonë e gatshme për të bashkëpunuar për interesa nacionale në shërbim të Kosovës”.

“Ne dimë të dallojmë dëshirat, ambiciet personale me aktivitetin politik, me marrëveshjet, me takimet, me nevojat e përbashkëta, me gjetjen e gjuhës së përbashkët”, tha ai.

Limaj tha se do ta luajnë rolin e tyre në krijimin e institucioneve.

“Ne do ta luajmë rolin tonë në krijimin e këtyre institucioneve për aq sa neve na takon e kërkohet nga ne dhe këtu përfundon detyra jonë kushtetutese. Kështu që, pak a shumë, këtu jemi”, tha ai.

Kryetari i Nismës tha se kjo parti do të angazhohet që “Kosova të mos shkojë krizë parlamentare”.

“Por ajo që mund të themi deri më tani ne nuk kemi asnjë marrëveshje me asnjë grupacion politik. Çka do të ndodhë do të shohim nga nesër e tutje. Nga nesër fillon ky procesi…”, tha ai.

(Kosova Sot Online)