BE: Thelbësore për Kosovën ta formojë sa më shpejt Qeverinë e re

  • A.P /
  • 18 April 2025 - 15:00
BE: Thelbësore për Kosovën ta formojë sa më shpejt Qeverinë e re

Bashkimi Evropian ka thënë se është thelbësore për Kosovën ta formojë sa më shpejt Qeverinë e re, pasi vendi ka ngecur në përpjekje për formimin e institucioneve të reja më shumë se dy muaj pas zgjedhjeve parlamentare, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

“Formimi i shpejtë i Qeverisë është thelbësor për Kosovën për t’i çuar përpara reformat e rëndësishme në të gjithë sektorët, të cilat do ta përmirësojnë cilësinë dhe kushtet e jetës për popullin e Kosovës”, tha Zyra e BE-së në Prishtinë.

Ajo tha se BE-ja është e gatshme për të punuar ngushtë me qeverinë e ardhshme, sapo të formohet ajo, dhe për të vazhduar mbështetjen e Kosovës në rrugën e saj drejt integrimit evropian.

Kosova dështoi ta konstituojë Kuvendin e ri dy herë brenda kësaj jave, për shkak të mosmarrëveshjeve procedurale mes partive politike që siguruan ulëse në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.


(Kosova Sot Online)