IPK arreston një zyrtar policor

  • A.P /
  • 19 April 2025 - 12:00
IPK arreston një zyrtar policor

Inspektorati Policor ka arrestuar një zyrtar policor nën dyshimin se ka ushtruar dhunë dhe ka kërcënuar të fejuarën e tij, e cila ishte ankuar në polici, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

“Disa ditë më parë hetuesit e  Inspektorat Policor të Kosovës kanë pranuar një ankesë nga një qytetare nga Gjilani e cila pretendonte se një zyrtar policor (i cili ishte i fejuari i saj) ka ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj saj”.

“Pas pranimit të këtyre informacioneve,  bazuar në veprimet hetimore  paraprake të realizuara dhe nga dëshmitë e mbledhura nga hetuesit e IPK-së është siguruar një bazë e dyshimit të arsyeshëm se zyrtari policor i përfshirë si i dyshuar në këtë rast ka përdorur dhunë dhe kërcënime ndaj ankueses. Bazuar në këto rrethana, me dyshimin se  zyrtari policor ka kryer veprën penale “Dhunë në familje”, i njëjti është arrestuar dhe me vendim të prokurorit të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë”, thuhet në njoftimin e IPK-së.

Në kuadër të veprimeve të natyrës administrative dhe në interes të hetimit, IPK tha se ka rekomanduar edhe suspendimin e tij.

 “Veprime të tjera do të ndërmerren në përputhje me autorizimet ligjore të IPK-së dhe në koordinim me prokurorinë kompetente”.

(Kosova Sot Online)