Dedaj: PDK, LDK dhe AAK duhet t’ia pamundësojnë Kurtit bërjen e Qeverisë

  • A.P /
  • 22 April 2025 - 14:14
Dedaj: PDK, LDK dhe AAK duhet t’ia pamundësojnë Kurtit bërjen e Qeverisë

Të hënën ka dështuar për herë të katërt zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar si kandidaturë ish-ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Ish-kryetari i Kuvendit, aktualisht deputet i këtij subjekti politik, Glauk Konjufca deklaroi se kandidatura e Albulena Haxhiut për kryetare Kuvendi mbetet e pandryshuar, por tha se situata aktuale politike nuk mund të zgjidhet pa një marrëveshje ndërpartiake.

Nesër me fillim nga ora 10:00 pritet të mbahet seanca e radhës për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.

Në lidhje me zhvillimet që pritet të ndodhin dhe se a mund të kemi nesër një finalizim të zgjedhjes së kryekuvendarit ka folur ish-ambasadori i Kosovës në RMV, Gjergj Dedaj.

Dedaj tha se pushteti në largim i ka degraduar të gjitha proceset politike në Kosovë si dhe vete funksionimim demokratik të Republikës së Kosovës.

Sipas Dedaj, opozita duhet ta votojnë në unitet kryetarin dhe kryesinë e Kuvendit të Kosovës por duhet t’ia pamundësojnë Kurtit bërjen e Qeverisë.

“PDK, LDK dhe AAK duhet ta votojnë unik kryetarin dhe kryesinë e Kuvendit të Kosovës, por po aq unik do duhet të jenë në mbrojtje të Kosovës duke ia pamundësuar Albin Kurtit bërjen e Qeverisë, sepse kjo do rrezikonte, izolonte dhe do sillte në pikëpyetje vete ekzistencën e shtetit të Kosovës” deklaroi Dedaj 

(Kosova Sot Online)